Tiranë, 24 korrik, Zhurnal.mk – Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Drejtues Erion Ahmeti informoi mesditën e sotme se pas vrasjes së ndodhur në Roskovec, në fshatin Vidhisht shërbimet e policisë shkuan në vendngjarje, rrethuan zonën, organizuan ndjekjen e autorit, ngritën pika kontrolli dhe koordinuan veprimet me të gjitha strukturat policore të angazhuara.
Shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Ahmeti informoi se Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të autorit dhe dinamikës së ngjarjes, u kërkua ndërhyrja e Forcës Speciale “RENEA”.
Pas lokalizimit të autorit, shërbimet e Policisë e rrethuan atë dhe nisën negociatat, pasi ai kërcënonte se do të vriste veten dhe ish- të dashurën, të cilën e mbante peng.
Falë profesionalizmit, qetësisë dhe veprimeve të mirëkoordinuara të efektivëve të Policisë, fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Sipas tij, negociatat me autorin vijojnë me qëllim që ai të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera.
