Shkup, 25 korrik, Zhurnal.mk – Aktet nënligjore për Ligjin për Dhurimin e Organeve – rregulloret dhe udhëzimi – janë vendosur në debat publik në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë, pas së cilës pritet të miratohen në një seancë të Qeverisë. Me zbatimin e Ligjit për Dhurimin e Organeve, i paralajmëruar të hyjë në fuqi më 1 tetor të këtij viti, qytetarët do të kenë mundësi që te mjeku i tyre amë të nënshkruajnë pëlqimin për dhurimin e organeve.
Në Veles sot u mbajt një panel-diskutim për dhurimin e organeve, me qëllim edukimin e qytetarëve për procesin e transplantimit dhe nxitjen e tyre që të bëhen dhurues organesh për të shpëtuar jetë.
Prof. dr. Biljana Kuzmanovska, anesteziologe dhe koordinatore kombëtare për transplantim, deklaroi se numri i pacientëve që presin transplantim në Maqedoninë e Veriut ndryshon nga dita në ditë, madje edhe nga ora në orë, për shkak të transplantimeve të kryera, pacientëve që ndërrojnë jetë pa marrë organin në kohë ose për arsye të tjera, ndërsa vazhdimisht regjistrohen edhe pacientë të rinj.
– Në pritje të një donatori për zemër janë 29 pacientë, 12 pacientë presin transplantim të mëlçisë, 160 pacientë presin transplantim të veshkave, ndërsa rreth 20 pacientë presin transplantim të kornesë së syrit. Vetëm këtë vit kemi kryer transplantim të kornesë te 16 pacientë. Për transplantimin e kockave, indeve kockore dhe ligamenteve nuk ka listë pritjeje, pasi përdoren inde nga Banka e Kockave dhe Ligamenteve, e cila funksionon në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumës – tha prof. dr. Kuzmanovska.
Ajo shtoi se ekzistojnë dy lloje të dhurimit të organeve: nga dhurues i gjallë dhe dhurimi pas vdekjes (kadaverik).
– Dhurimi pas vdekjes është i mundur vetëm te pacientët që janë të shtruar në njësinë e kujdesit intensiv, të lidhur me aparatin e frymëmarrjes dhe që marrin terapi për mbajtjen e qarkullimit të gjakut, tek të cilët është diagnostikuar dhe konfirmuar vdekja e trurit. Bëhet fjalë për një numër të vogël pacientësh që mund të jenë donatorë potencialë. Një person që ka ndërruar jetë në rrugë ose në shtëpi, nëse nuk ka qenë në kujdes intensiv dhe në respirator, nuk mund të jetë dhurues organesh. Dhurimi i organeve është plotësisht vullnetar dhe nuk guxon të jetë ndryshe – theksoi ajo.
Dr. Lilija Çolakova Dervishova, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Privatë të Maqedonisë, bëri të ditur se deklarimi për dhurimin e organeve do të bëhet te mjeku amë, pasi ai është më i qasshmi për të gjithë qytetarët. Ky sistem do të nisë të zbatohet nga 1 tetori.
– Mendoj se thelbi i ekzistencës sonë është shpëtimi i çdo jete njerëzore. Prandaj secili do të ketë të drejtë të deklarohet te mjeku i tij amë që, në rast se i ndodh diçka ose ndërron jetë, organet e tij të dhurohen për të shpëtuar pacientë të tjerë. Për shembull, shumë nga pacientët që janë në hemodializë janë të rinj. Ka edhe persona që jetojnë me pompa artificiale të zemrës dhe e kanë shumë të vështirë. Disa të rinj jetojnë madje me dy pompa dhe kanë nevojë për transplantim për të vazhduar një jetë normale – tha dr. Çolakova Dervishova.
Në panel folën edhe dhurues organesh, mes tyre Ilço, i cili i kishte dhuruar vajzës së tij Ana Giovska një pjesë të mëlçisë.
– Dhurimi i organeve dhuron jetë. Unë për vajzën time nuk isha donator, por prind që kujdeset për fëmijën e vet, që ajo sot ta ketë gjithë botën përpara. Vajza ime pati fat dhe sot, kur e shoh duke u rritur, kjo më jep forcë të harroj gjithçka që kemi kaluar. Por, fatkeqësisht, shumë njerëz nuk e kanë këtë fat dhe presin në listat e pritjes për një donator që t’u jepet mundësia të vazhdojnë të jetojnë. Besoni se kur dhuroni një organ, ju i dhuroni të ardhme edhe një familjeje të tërë – theksoi Ilço.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për mbështetjen që familja e tij mori nga prof. dr. Sonja Bojaxhieva nga Klinika e Gastroenterohepatologjisë në Shkup, e cila gjithashtu foli për rëndësinë e dhurimit të organeve.
Gjatë panelit, një nënë nga Velesi bëri apel që të gjendet një donator zemre për djalin e saj 23-vjeçar, i cili jeton në gjendje të rëndë me një pompë artificiale të zemrës.
Paneli u organizua nga Irena Raleva-Najdevska nga Ohri, moderatore dhe organizatore e karavanit “Dhurimi i Organeve në Maqedoni”, bashkëshortja e një pacienti 33-vjeçar që prej shtatë vitesh jeton me zemër artificiale dhe prej pesë vitesh pret një donator në listën kombëtare për transplantim të zemrës.
Ky aktivitet është pjesë e fushatës kombëtare për transplantim dhe rritjen e ndërgjegjësimit për dhurimin e organeve, e cila zhvillohet nga institucionet shtetërore të udhëhequra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria.
Ligji për Dhurimin e Organeve u miratua në Kuvend në fund të muajit qershor, ndërsa aktet nënligjore janë në debat publik në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe më pas pritet të miratohen nga Qeveria. Ndërkohë po punohet për përmirësimin dhe testimin e sistemit “Termini Im”, në pjesën për regjistrimin e dhuruesve potencialë të organeve.
Pas Velesit, panele të ngjashme për dhurimin e organeve do të organizohen edhe në qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut.
