Iniciativa e Trajanovit për konfliktin e 2001-shit / Ziberi: Shkelje e rëndë ndaj Tribunalit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 tetor Zhurnal.mk – Ish Avokati i Popullit dhe juristi Naser Ziberi, duke komentuar nismën e kreut të LD-së Pavle Trajanov në Kushtetuese për anulimin e interpretimit autentik të nenit 1 nga Ligji për Amnisti, u shpreh se Kushtetuesja duhet të veprojë ashtu siç ka vepruar tri herët e kaluara lidhur me këtë çështje sikurse në vitin 2003, 2007 dhe 2012, e ajo është të hedhë poshtë mundësinë për rishqyrtim të ligjit. Në Kushtetuese, përmes anulimit të interpretimit autentik, Trajanov kërkon që për krime lufte në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, të përgjigjen të dyshuarit në pesë rastet e shqyrtuara nga Tribunali i Hagës, edhe pse për ta asnjëherë nuk pati dëshmi.

“Hapja apo rihapja dhe eventualisht nëse pranohet iniciativa do të ishte një shkelje e rëndë edhe ndaj Tribunalit të Hagës edhe ndaj ligjit për amnisti e për pasojat politike të mos flasim se çfarë do të thotë kjo. Kjo do të thotë shkelje e rëndë mbi parimet e vendosjes së paqes të vërtetuara në Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001, shkelje mbi këto parime”, deklaroi Naser Ziberi në emisionin “Gjurmët”.

Sipas Ziberit, në vitin 2002 edhe pse marrëveshja u arrit me ndërmjetësim të ambasadorit të atëhershëm të NATO-s, Nikolas Hendrik i njohur si Bigman, krerët politik maqedonas përsëri kishin tentuar ta shtrembërojnë ligjin duke e prekur drejt për drejtë nenin 1 të ligjit. Ziberi i bën thirrje VLEN-it dhe Qeverisë që të mos jep mendim në favor të Trajanovit.

“Këtë ata duhet ta bëjnë madje në Qeveri sepse Gjykata Kushtetuese i është drejtuar Qeverisë për të marrë mëndim lidhur me iniciativën e Pavle Trajanovit. Unë sa kam informacione, Qeveria ende nuk ka ndërtuar qëndrim për këtë çështje dhe beteja e parë duhet të bëhet që këtu, që mendimi i Qeverisë duhet të shkojë në funksion të asaj që është praktikë e Gjykatës Kushtetuese, se Kushtetuesja për këtë çështje është prononcuar dhe nuk ka lëndë për shqyrtim”, deklaroi Ziberi.

Të pyetur për iniciativën e Trajanovit në Kushtetuese, partitë politike VLEN dhe BDI së fundmi në emisionin N’Dritë thaë se nuk pajtohen me këto nisma. Si Bekim Qoku ashtu edhe Arbër Ademi, u shprehën se këto tentativa nuk duhet të procedohen pasi paraqesin rihapje të plagëve të vjetra dhe përplasje mes komuniteteve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër