Tiranë, 27 korrik, Zhurnal.mk – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në GJKKO kërkesën për gjykimin e 11 të pandehurve, të akuzuar për prodhim, shitje dhe trafikim të narkotikëve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Konkretisht SPAK ka dërguar për gjykim Besnik Spatën, Ermelind Pupën (alias Ermelind Myzyri), Erind Agalliun (alias Erind Teneqexhiu), Geraldo Seferajn, Dorjan Luzajn, Kevin Qevanin (alias Bojken Qevani), Toni Kote (alias Elton Tavani, Thoma Tavani dhe Toni Tavani), Eltion Myftari (alias Eltjon Miftari), Ledjon Hoxhën, Altin Mustën dhe Nikollaq Godon (alias Pavjol Gode).
Sipas SPAK procedimi penal është ndarë nga çështja e vitit 2023. Hetimet u kryen në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore, ende aktive, e cila u krijua më datë 21 nëntor 2023, mes Prokurorisësë Posaçme dhe Policisë Qendrore Kriminale të Finlandës, Departmentit pranë Institucionit Policor të Finlandës Jugperëndimore dhe Departmentit pranë Institucionit Policor të Helsinkit.
SPAK bëri me dije se gjatë hetimit janë përdorur metoda speciale të hetimit (përgjime të komunikimeve telefonike, regjistrime të fshehta fotografike, filmike ose me video në vende publike), si dhe janë shkëmbyer informacione dhe prova me Byronë Kombëtare të Finlandës, në kohë reale.
“Sipas provave prej vitit 2022 dhe në vazhdim, disa grupe të strukturuara kriminale me anëtarë shqiptarë dhe të huaj, të krijuar, të organizuar dhe drejtuar nga shtetas shqiptarë kanë trafikuar drejt Finlandës sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike me rrezikshmëri të lartë (marihuanë, amfetaminë, tableta ekstazi, kokainë etj) dhe të cilat më pas janë shitur, shpërndarë, dorëzuar në disa qytete të Finalndës, përmes një rrjeti shpërndarësish, me qëllimin për të krijuar të ardhura të kundraligjshme”, njoftoi SPAK.
SPAK theksoi se karakteristikë e këtyre grupeve të strukturuara kriminale ishte bashkëpunimi mes tyre dhe ndërveprimi me grupe të tjera kriminale. Një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve të strukturuara kriminale janë arrestuar dhe dënuar nga gjykatat e Finlandës për veprimtarinë kriminale.
Sipas SPAK, nga provat e administruara rezultojnë të provuara disa raste të veprimtarisë kriminale.
Sipas SPAK, për hetimet kanë dhënë ndihmesën e tyre; Zyra e Oficerit Ndërlidhës së Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën si edhe “Rrjeti @ON”, i financuar nga Komisioni i Bashkimit Europian, i drejtuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA).
Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e shërbimit të policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po vazhdojnë intesivisht hetimit për procedimin penal të vitit 2023, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët janë përfshirë në veprimtari të kundraligjshme, të konstatuara gjatë hetimeve paraprake.
