Raporti i DASH: Protestat mjedisore në Shqipëri u shndërruan në revoltë kundër korrupsion

Nga Xh M
713 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 28 korrik Zhurnal.mk – Protestat e zhvilluara në Shqipëri kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit janë përfshirë në raportin e Sigurisë për Shqipërinë të hartuar nga Overseas Security Advisory Council (OSAC), strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit që vlerëson rreziqet e sigurisë për qytetarët dhe bizneset amerikane jashtë vendit.

Raporti i kushton vëmendje të veçantë zhvillimeve që nisën fillimisht si protesta me karakter mjedisor, por që më pas, sipas dokumentit, u zgjeruan në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit qeveritar.

Sipas OSAC, reagimi policor ndaj protestave u shoqëruan me përplasje dhe episode dhune.

Raporti rikujton gjithashtu protestat pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, të cilat u shoqëruan me marshime masive në Tiranë, bllokime të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe përdorimin e mjeteve piroteknike, përfshirë molotove.OSAC vlerëson se protestat në Shqipëri janë një fenomen i zakonshëm dhe se, edhe kur nisin në mënyrë paqësore, mund të përshkallëzohen shpejt. Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u rekomandohet të shmangin zonat ku zhvillohen demonstrata.

Krimi, një nga shqetësimet kryesore

Përtej zhvillimeve politike, raporti e identifikon kriminalitetin si një prej rreziqeve kryesore për vizitorët në Shqipëri.Sipas dokumentit, kriminaliteti u rrit me rreth 17 për qind gjatë vitit 2025. Ndër problematikat kryesore përmenden veprat penale të lidhura me trafikun e drogës, mashtrimet dhe krimet me armë.

OSAC thekson gjithashtu praninë e rrjeteve të krimit të organizuar, të përfshira në trafik droge, pastrim parash, trafikim të qenieve njerëzore, zhvatje, prostitucion dhe korrupsion.

Raporti ngre shqetësime edhe për qarkullimin e armëve dhe eksplozivëve të paligjshëm, duke vënë në dukje se një pjesë e tyre që qarkullojnë në Evropë kanë origjinë ose kalojnë tranzit përmes Shqipërisë.

Korrupsioni dhe mungesa e transparencës

Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet korrupsionit dhe klimës së biznesit.

OSAC evidenton korrupsionin në administratë, sistemin e drejtësisë dhe prokurimet publike, ndërsa përmend si problem edhe mungesën e transparencës dhe konkurrencës, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave.

Në raport thuhet se, megjithëse Shqipëria ka një kuadër ligjor për luftën kundër korrupsionit dhe parandalimin e konfliktit të interesit, investitorët e huaj vazhdojnë ta konsiderojnë korrupsionin një pengesë serioze për mjedisin e biznesit.

Dokumenti vlerëson ndërkohë se krijimi i SPAK-ut dhe rritja e hetimeve ndaj zyrtarëve kanë sjellë më shumë arrestime dhe ndjekje penale. Megjithatë, sipas OSAC, pandëshkueshmëria mbetet problem serioz, pasi një pjesë e zyrtarëve, politikanëve, gjyqtarëve dhe personave me ndikim ekonomik ende arrijnë t’i shmangen ndjekjes penale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër