Zjarri masiv përfshin Parosin, evakuohen banorët në ishullin grek

Nga D V
779 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Athinë, 29 korrik, Zhurnal.mk – Zjarrfikësit po përballen me një zjarr të fuqishëm dhe jashtë kontrollit në ishullin grek të Parosit, në detin Egje, duke detyruar evakuimin e disa komuniteteve, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi.

Sipas raportimeve të mediave, shërbimet e emergjencës u kanë kërkuar banorëve të largohen drejt plazheve aty pranë. Fillimisht, nuk pati raportime për të plagosur apo për shtëpi të shkatërruara.

Dhjetëra zjarrfikës janë angazhuar në ishullin e Kikladeve që prej së martës, ndërsa janë kërkuar përforcime nga ishujt fqinjë Naksos dhe Siros, si dhe nga Greqia kontinentale.

Fshati Agkairia konsiderohej zona më e rrezikuar, raportuan gazetat greke “Proto Thema” dhe “Kathimerini”.

Zjarri u përhap nga temperaturat shumë të larta të verës dhe bimësia e tharë. Erërat e forta vështirësuan përpjekjet për shuarjen e flakëve dhe parashikohet të forcohen edhe më shumë gjatë ditës së sotme.

Greqia deri tani, i ka shmangur valët e mëdha të të nxehtit. Megjithatë, vitet e fundit periudhat e gjata me temperatura ekstreme, thatësira dhe erëra të forta kanë krijuar kushte të favorshme për zjarre të mëdha pyjore.

Pas zjarreve shkatërruese të viteve të kaluara, Greqia ka zgjeruar kapacitetet e saj për përballimin e emergjencave.

Shërbimi zjarrfikës tashmë disponon 85 avionë shtetërorë për shuarjen e zjarreve dhe rreth 18 mijë punonjës të përhershëm dhe sezonalë.

Në zonat me rrezik të lartë, janë vendosur gjithashtu më shumë se 100 baza dronësh, të cilat përdoren për zbulimin e hershëm të zjarreve.

Ndërkohë, janë lëshuar në hapësirë edhe katër satelitë të posaçëm për monitorimin e zjarreve, veçanërisht në rajonet më të thata.

Aktualisht, në disa pjesë të Greqisë është në fuqi një nivel i lartë rreziku për zjarre pyjore.

Sipas “Kathimerini”, zjarrfikësit u angazhuan për shuarjen e zjarreve edhe në rajonin verilindor të Evrosit.

Niveli i dytë më i lartë i alarmit për rrezikun e zjarreve, ishte në fuqi në Kretë dhe në ishujt Lesbos, Kios, Samos, Ikaria dhe Psara.

Ndërsa niveli i tretë i alarmit u shpall për rajonin e Athinës dhe Peloponezin verilindor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër