Krushevë, 2 gusht Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut sot shënon Ilindenin, 2 Gushtin – Ditën e Republikës dhe të shtetësisë, një datë me rëndësi të dyfishtë historike për vendin.
Sivjet shënohen 123 vjet nga Kryengritja e Ilindenit dhe Republika e Krushevës, si dhe 82 vjet nga Mbledhja e Parë e KAÇKM-së.
Me rastin e festës shtetërore, manifestime tradicionale do të mbahen në Krushevë, Pelincë dhe Shkup.
Manifestimi qendror do të zhvillohet në Meçkin Kamen të Krushevës, ku do të mbajë fjalim nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova do të marrë pjesë në manifestimin në Shkup, ku do të vendosë lule para monumentit të kryetarit të parë të Presidiumit të KAÇKM-së, Metodija Andonov-Çento.
Ceremoni do të mbahet edhe në Pelincë, ku do të shënohen 82 vjet nga Mbledhja e Parë e KAÇKM-së. Është paralajmëruar edhe fjalimi i kryeministrit Hristijan Mickoski.
Në vitin 1903, rreth 800 kryengritës e çliruan Krushevën, ndërsa dy ditë më vonë Nikolla Karev u zgjodh president i Republikës së Krushevës. Republika zgjati dhjetë ditë, derisa një ushtri osmane prej rreth 18 mijë ushtarësh, e udhëhequr nga Bahtijar Pasha, ndërmori ofensivën për rikthimin e kontrollit mbi qytetin.
Beteja e fundit u zhvillua në Meçkin Kamen, ku ra dëshmor Pitu Guli.
Dyzet e një vjet pas Kryengritjes së Ilindenit, në manastirin “Shën Prohor Pçinjski”, 115 delegatë mbajtën Mbledhjen e Parë të KAÇKM-së. Në këtë mbledhje u miratuan disa dokumente të rëndësishme, përfshirë vendimin për vendosjen e gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare dhe Deklaratën për të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit në Maqedoninë demokratike.
Mbledhjen e hapi Panko Brashnarov, si delegati më i moshuar, ndërsa Metodija Andonov-Çento u zgjodh kryetar i Presidiumit të KAÇKM-së.
