Nga dasma në Shqipëri përfundoi në QKUK – 39-vjeçarja denoncon bashkëshortin se e goditi me grusht para fëmijëve

Nga Xh M
774 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 2 gusht Zhurnal.mk – Një mosmarrëveshje gjatë kthimit nga një aheng familjar në Shqipëri ka përfunduar me kallëzim për dhunë në familje në Kosovë, pasi një grua me shtetësi zvicerane pretendon se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj në prani të fëmijëve.

Sinjali mëson se i dyshuari është D. H. rreth 39-vjeçar, ndërsa viktimë A. H. 39-vjeçare.

Sipas burimeve, rasti është raportuar pas mesnatës së 2 gushtit, rreth orës 00:20, ndërsa viktima ndodhej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) duke marrë trajtim mjekësor.

Nga deklarata e saj rezulton se incidenti kishte ndodhur një ditë më parë, më 1 gusht, në Shqipëri, ku familja kishte shkuar për të marrë pjesë në një dasmë.

Viktima ka deklaruar se bashkëshorti fillimisht e kishte ofenduar, më pas kishte vendosur të largoheshin nga ahengu pa marrë pjesë në dasmë, ndërsa gjatë kthimit për në Kosovë konflikti kishte eskaluar.

Sipas saj, në një moment ai e ka goditur me grusht në syrin e djathtë, dhe e gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të fëmijëve.

Si pasojë, gruaja ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK, ndërsa Policia ka intervistuar të dyja palët. Në kuadër të hetimeve është dëgjuar edhe një nga fëmijët, në prani të përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale (QPS).

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj D.H është iniciuar procedurë për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër