Man City s’e ka në plane, gjiganti spanjoll e bën prioritet Jack Grealishun

Nga D. V.
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Jack Grealish mund ta vazhdojë karrierën në La Liga, pasi Atletico Madridi po shqyrton mundësinë e transferimit të anësorit të Manchester Cityt.

30-vjeçari e kaloi sezonin 2025/26 në huazim te Evertoni, ku regjistroi dy gola dhe gjashtë asistime në 22 ndeshje, përpara se të pësonte një thyerje në këmbë në përballjen ndaj ish-klubit të tij, Aston Villës, në janar. Lëndimi i dha fund sezonit të tij dhe ia shoi shpresat për të qenë pjesë e Anglisë në Kupën e Botës.

Pas përfundimit të huazimit, Grealish u rikthye te Manchester City, por mungoi në turneun parasezonal të skuadrës në Azi. Vetë futbollisti sqaroi situatën përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Vetëm për t’ju bërë me dije se jam ende duke u rikuperuar nga një lëndim, prandaj nuk jam duke u stërvitur ende”.

“Nuk jam lënë jashtë, prandaj ndaloni së foluri marrëzira. Faleminderit”, shkroi Grealish.

Sulmuesi ka edhe një vit kontratë me Manchester Cityn, por nëse largohet këtë verë, pritet të pranojë një ulje të ndjeshme të pagës. Aktualisht ai fiton rreth 300 mijë funte në javë.

Sipas “The Sun”, Atletico Madridi e vlerëson lart anglezin, veçanërisht për angazhimin e tij si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë mbrojtëse. Diego Simeone besohet se e sheh Grealishin si një profil të përshtatshëm për sistemin e tij të lojës.

Trajneri argjentinas ka pasur më parë në skuadër futbollistë anglezë si Kieran Trippier dhe Conor Gallagher, ndërsa tani mund të tentojë edhe afrimin e Grealishit.

Megjithatë, konkurrenca për një vend titullari te Atletico do të ishte e fortë. Gjatë kësaj vere klubi ka transferuar Lee Kang-in, ndërsa në dispozicion janë edhe Alex Baena, Thiago Almada dhe Ademola Lookman, të cilët preferojnë të luajnë në krahët e sulmit.

Atletico Madridi e mbylli sezonin e kaluar në vendin e katërt në La Liga, humbi finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Sociedadit pas penalltive dhe u eliminua nga Arsenali në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

Nëse transferimi në kryeqytetin spanjoll nuk realizohet, Evertoni mbetet i interesuar ta rikthejë Grealishin në huazim, ndërsa nuk përjashtohet as një rikthim sentimental te Aston Villa.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër