Levica: Qeveria premtoi lehtësime, por Maqedonia mbeti në listën amerikane të vizave

Nga Xh M
924 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 gusht Zhurnal.mk – Maqedonia, edhe pas shtatë muajsh, vazhdon të mbetet në listën e administratës së Donald Trumpit për 75 shtete, qytetarëve të të cilave u është pezulluar lëshimi i vizave emigruese. Kjo ndodh edhe pse ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, në janar paralajmëroi me bujë se “qytetarët e Maqedonisë i pret një surprizë pozitive lidhur me politikën e vizave të SHBA-së brenda gjashtë muajve të ardhshëm”. Edhe pse ky afat tashmë ka kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria nuk kanë dalë me asnjë njoftim lidhur me këtë çështje, të cilën vetë e hapën, thuhet në reagimin e partisë Levica.

– Është e qartë se e gjithë politika e jashtme e VMRO-DPMNE-së mbështetet në shpresën e verbër se servilizmi një ditë do të shpërblehet. Pavarësisht afrimit të vazhdueshëm me administratën amerikane dhe ndjekjes pa rezerva të politikave të saj, Maqedonia vazhdon të mbetet në të njëjtën listë. Duket se në Uashington bindja dhe nënshtrimi vlerësohen më shumë sesa respektohen, thuhet në reagim.

Levica i bën thirrje ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, që sa më shpejt të japë sqarime se çfarë ndodhi me “surprizat pozitive” të paralajmëruara dhe si po zhvillohet konkretisht bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara për realizimin e këtyre premtimeve, përkatësisht deri në çfarë faze ka arritur ky proces.

Sipas partisë, nëse ministri nuk përgjigjet, do të bëhet e qartë se kjo deklaratë është dhënë vetëm për të zbutur pakënaqësinë e mundshme të qytetarëve pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, me të cilin Republika e Maqedonisë u përfshi në listën e 75 shteteve, qytetarëve të të cilave u është ndalur plotësisht procedura për lëshimin e vizave emigruese.

“Në përpjekje për ta paraqitur Qeverinë si faktor që mund të ndikojë në vendimet e Uashingtonit, Mucunski vendosi vetë një afat që nuk arriti ta përmbushë. Herën tjetër, para se të premtojë se çfarë do të bëjë Trumpi, ndoshta fillimisht duhet të sigurohet nëse ka fare ndikim në vendimet që i paralajmëron me kaq vetëbesim”, thuhet në fund të reagimit të Levicës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër