Tiranë, 4 gusht Zhurnal.mk – Lëvizja qytetare në Shqipëri vazhdon të mbetet aktive edhe pas dy muajve marshim drejt kryeministrisë, ku një nga zhvillimet që ka nxitur reagime të forta është edhe hapja e Konsullatës së Serbisë në Shkodër. Ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, duke e cilësuar të papranueshme praninë e një konsullate serbe, që sipas tyre është e pakuptimtë.
“Habitem me këtë lloj qeverisje që bëhet këtu, të shkosh në një kohë të hapësh ambasadë jugosllave në Shkodër është të luash mendsh. Duke hapur konsullatën serbe në Shkodër, ti mohon Kosovën”, tha një qytetar.
Ndërkohë, ende vazhdon të jehojë thirrja “dorëhiqu” nëpër rrugët e Tiranës, ku qytetarët kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe kërkojnë nga institucionet që të dëgjojnë zërin e tyre dhe t’u përgjigjen kërkesave të ngritura prej më shumë se dy muajsh.
“Ne po forcohemi çdo ditë. Nuk dorëzohemi ne, do të dorëzohet ai, jo ne. Populli këtu është”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Qytetarët janë përballë teje çdo ditë në shesh dhe mesazhi i tyre është i qartë, dorëhiqu, sepse sot shumë shqiptarë ndihen se vendi i tyre ka probleme të mëdha me arsimin, shëndetësinë, shtetin e së drejtës, ligjet që mbrojnë qytetarët dhe mbrojtjen e natyrës. Dëgjoje zërin e qytetarëve, dorëhiqu dhe hap rrugën e një ndryshimi të ri”, tha qytetari.
