Fajin po e kërkojnë në vendin e gabuar – subvencionet i raportojnë blerësit, jo fermerët

Nga Xh M
741 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 gusht Zhurnal.mk – Nga raportime për 35 ton duhan për hektar deri te sasi joreale të qumështit – institucionet paralajmërojnë kontrolle të shtuara, ndërsa fermerët thonë se të dhënat nuk i dorëzojnë ata, por kompanitë grumbulluese dhe thertoret. Sipas tyre, aplikimet për subvencione nuk bëhen nga fermerët, por nga ndërmarrjet grumbulluese dhe thertoret, të cilat regjistrojnë sasitë e dorëzuara dhe i përcjellin ato te institucionet përkatëse. Prandaj, nëse ka pasur abuzime me subvencionet, ato duhet të kërkohen te ata që fusin të dhënat në sistem, e jo te prodhuesit.

Pas akuzave të Qeverisë për rendimente të raportuara në mënyrë joreale dhe keqpërdorime të subvencioneve bujqësore, fermerët reagojnë duke theksuar se përgjegjësia nuk bie mbi ta, por mbi grumbulluesit dhe institucionet që i përpunojnë të dhënat.

Kryetari i Rrjetit Kombëtar të Bujqve, Gjorgji Karakashev, në një deklaratë për gazetën Veçer tha se përgjegjësia për çdo keqpërdorim të mundshëm të subvencioneve nuk duhet t’u faturohet fermerëve, pasi synimi i tyre është të shesin ndershmërisht prodhimin dhe të paguhen për të, e jo të përfitojnë përmes mashtrimeve.

“Raportet për Agjencinë e Pagesave dhe Ministrinë e Bujqësisë nuk i dorëzojnë vetë fermerët, por kompanitë që grumbullojnë fruta, perime, duhan dhe produkte të tjera bujqësore, si dhe thertoret e regjistruara ku theret bagëtia. Nëse ka abuzime me subvencionet, përgjegjësia duhet të kërkohet te ata që raportojnë sasitë e dorëzuara, jo te fermerët dhe blegtorët”, tha Karakashev.

Sipas tij, është detyrim ligjor i shërbimeve inspektuese të kryejnë kontrolle dhe të verifikojnë nëse sasitë e raportuara të produkteve bujqësore dhe numri i krerëve të therur përputhen me gjendjen reale.

“Ata kanë obligim ligjor të kontrollojnë këto subjekte dhe të parandalojnë keqpërdorimet. Çdo përpjekje për t’ua faturuar fajin fermerëve dhe blegtorëve është absurde dhe ne, si shoqatë, kundërshtojmë ashpër deklarata të tilla. Për më tepër, fermerët duhet të marrin dokumente nga kompanitë grumbulluese për produktet e dorëzuara, ku të specifikohen lloji, sasia dhe cilësia, por në shumicën e rasteve këto dokumente nuk lëshohen”, shtoi ai.

Edhe Risto Velkov, kryetar i Lidhjes së Bujqve të Strumicës, vlerëson se deklaratat e institucioneve tregojnë mungesë njohjeje të gjendjes reale në terren dhe të kapaciteteve prodhuese në rajone të ndryshme.

“Dihet sa duhan mund të prodhohet në një dynym në rajonin e Strumicës dhe sa në rajonin e Prilepit. Me deklarata të tilla krijohet përshtypja se nuk merren parasysh veçoritë e zonave të ndryshme dhe rendimentet reale që mund të arrihen”, tha Velkov për Veçer.

Ai thekson se te prodhimi i duhanit është shumë e vështirë të ketë abuzime, pasi subvencionet paguhen mbi bazën e sasive të dorëzuara.

“Raporti që merr fermeri për prodhimin e dorëzuar është dokumenti mbi të cilin përcaktohet subvencioni. Ndërsa për kulturat perimore, mbështetja llogaritet sipas sipërfaqes së mbjellë dhe sasive të dorëzuara në qendrat e regjistruara të grumbullimit dhe përpunimit. Pikërisht këto kompani mbajnë evidencën dhe kanë mundësi të raportojnë sasi më të mëdha nga ato që janë dorëzuar realisht”, tha ai.

Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, deklaroi se janë evidentuar një sërë parregullsish në ndarjen e subvencioneve – nga rendimente joreale të duhanit dhe qumështit deri te keqpërdorimi i numrave identifikues të bagëtive dhe parregullsi me sipërfaqet bujqësore.

“Rreth 50 aplikues, kryesisht nga rajoni i Prilepit dhe Krivogashtanit, kanë raportuar prodhim prej 10 deri në 11 tonësh duhan në vetëm dy deri në dy e gjysmë dynym, gjë që është e pamundur. Në blegtori ka keqpërdorime me numrat identifikues të bagëtive, duke kërkuar sërish subvencione edhe për kafshë të ngordhura. Gjatë një kontrolli konstatuam se në dokumente figuronin rreth 400 mijë dele, ndërsa në realitet ishin mes 250 mijë dhe 280 mijë”, tha Serafimovski.

Ai shtoi se ka raste kur subvencionet përfitojnë persona që figurojnë si bartës formalë të tokës, ndërsa prodhimin e kryejnë të tjerë, prandaj paralajmëroi kontrolle më të rrepta.

“Një dynym duhan mund të japë maksimumi nga 400 deri në 600 kilogramë. Nuk mund të raportohen 10 tonë në dy dynym. Ka keqpërdorime edhe me sasitë e raportuara të qumështit, të cilat nuk përputhen me prodhimin real”, theksoi ministri.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se fermerët dhe blegtorët duhet të raportojnë rendimentet reale, pasi subvencionet financohen nga buxheti i shtetit.

“Nuk mundet që një lopë të prodhojë njëqind herë më shumë qumësht se kafsha më e mirë në botë, as që në një hektar të prodhohen 30 ose 35 tonë duhan. Do të ketë kontrolle të shtuara”, tha Mickoski.

Debati për subvencionet ka rihapur dilemën se ku krijohen keqpërdorimet – te prodhuesit apo te sistemi i evidentimit dhe grumbullimit, mbi bazën e të cilit paguhet mbështetja shtetërore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër