Senati i SHBA-ve konfirmon Eric Wendt si ambasador në Shqipëri

Nga Xh M
900 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 7 gusht Zhurnal.mk – Senati amerikan ka votuar për konfirmimin e Eric Wendt si ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Kandidatura e Wendt u miratua në bllok së bashku me 73 zyrtarë dhe diplomatë të tjerë, me 51 vota pro dhe 47 kundër.

Emërimet e konfirmuara pritet t’i dërgohen Presidentit Donald Trump, duke i hapur rrugë betimit dhe marrjes zyrtare të detyrës në vendet ku do të shërbejnë.

Wendt është gjeneral në pension i ushtrisë amerikane, me mbi 34 vite shërbim, pjesën më të madhe të karrierës në forcat speciale Green Beret. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si edhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

Ardhja e Wendt në Tiranë do të pasojë Yuri Kim në drejtimin e misionit diplomatik amerikan, e cila u largua nga kjo detyrë në qershor të vitit 2023.

Në dëgjesën publike të zhvilluar më 20 maj në Senat, Wendt renditi si prioritete kryesore luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e partneritetit ushtarak mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, rritjen e sigurisë kibernetike dhe krijimin e një klime më të favorshme për investimet amerikane.

Ai shprehu gjithashtu mbështetje për SPAK-un, të cilin e cilësoi një institucion të rëndësishëm, duke vlerësuar bashkëpunimin e tij me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.

Sipas Wendt, puna e strukturës antikorrupsion mbetet kyçe, për sa kohë ajo ruan pavarësinë dhe qëndron larg ndikimeve politike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër