Për më shumë se gjysmë shekulli, festivalet kanë qenë pjesë e jetës kulturore të Kosovës. Por, pavarësisht numrit dhe ndikimit të tyre, ato kanë mbetur për një kohë të gjatë më shumë ngjarje që përjetohen sesa fenomene që studiohen.
Këtij boshllëku i vjen në ndihmë monografia “Festivalet e Kosovës – Një histori gjysmëshekullore, studim monografik gjeografiko-turistik”, e autorit Dr. Fitim Humolli, profesor i gjeografisë dhe turizmit në Universitetin e Prishtinës.

Profesori Humolli ka theksuar se nga të gjitha festivalet me ndikim, primatin e mban Sunny Hill Festival.
Rrugëtimi i këtij studimi nisi në fund të vitit 2020 dhe fillim të vitit 2021, fillimisht si një punim master dhe më pas u shndërrua në një kërkim shumëvjeçar. Përmes intervistave, punës në terren, burimeve arkivore, statistikave dhe analizave shkencore, autorët kanë dokumentuar 146 festivale të zhvilluara në Kosovë deri në vitin 2024.
Por libri nuk është thjesht një listë festivalesh.
Ai tregon ku zhvillohen ato, si kanë lindur, si janë zhvilluar, cilat kanë mbijetuar dhe cilat kanë arritur të ndikojnë në turizëm, kulturë, ekonomi dhe jetën e komuniteteve lokale.

Historia nis shumë më herët. Në vitin 1969, me “Akordet e Kosovës”, për të vazhduar me “Festivalin e Teatrove” në Ferizaj më 1970 dhe “Kosovarja Këndon” më 1972. Që atëherë, festivale të shumta janë shfaqur, janë zhdukur, janë ringritur dhe disa prej tyre janë shndërruar në marka të njohura përtej Kosovës.
Një prej shembujve se si një festival mund të ndryshojë imazhin e një vendi është Etno Festi në Kukaj nga një hapësirë rurale në një destinacion të njohur kulturor e turistik.
Pikërisht ky është një prej mesazheve kryesore të monografisë: festivali nuk është vetëm argëtim. Ai mund të jetë ekonomi, turizëm, identitet, promovim dhe zhvillim lokal.
Recensenti i librit, prof. dr. Dhimitër Doka, e cilësoi veprën si një kontribut të rëndësishëm në studimet e gjeografisë së turizmit dhe trashëgimisë kulturore, duke veçuar punën shumëvjeçare në terren dhe qasjen shkencore ndaj një fushe që deri tani ka qenë pak e eksploruar.
Studimi, megjithatë, nuk i kursen as kritikat. Numri i madh i festivaleve, sipas autorit, nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe cilësi. Mungesa e financimit të qëndrueshëm, dobësitë organizative dhe mungesa e strategjive afatgjata mbeten disa prej sfidave kryesore.
Për autorin, ky libër nuk është fundi i kërkimit, por fillimi i tij.
“Studimet tona për festivalet nuk janë pjesë e plotësimit të mozaikut, por janë fillim i ndërtimit të tij”, është një prej mesazheve të tij.
Me 146 festivale të dokumentuara, duket se materiali për këtë histori nuk ka munguar kurrë. Ka munguar vetëm dikush që ta mbledhë në një libër.
