Shkup, 13 gusht, Zhurnal.mk – Deputeti Fatmir Bytyqi në një shkrim publik, në fejsbuk profilin e tij, ka theksuar rëndësinë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në 25-vjetorin e saj, duke vlerësuar se ajo mbetet një nga mësimet më të rëndësishme shtetformuese për Maqedoninë e Veriut. Bytyqi ka theksuar se bashkëjetesa nuk është vetëm një koncept politik, por një vendim i përditshëm që kërkon përkushtim institucional, njerëzor dhe moral, transmeton Zhurnal.mk.
“Njëzet e pesë vjet pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Maqedonia duhet të kujtojë një nga mësimet e saj më të rëndësishme shtetformuese: se bashkëjetesa është vendim i përditshëm politik, njerëzor dhe moral”, ka shkruar Bytyqi.
Sipas tij, Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk e dobësoi shtetin, por përkundrazi e hapi atë drejt gjithëpërfshirjes dhe largimit nga logjika e përçarjeve dhe frikës.
Ai kritikoi përpjekjet që, sipas tij, në vitet e fundit synojnë ta reduktojnë shtetin në një narrativë etnocentrike dhe njëdimensionale.
“Kur në dy vitet e fundit janë shtuar hapur përpjekjet që shteti të ngushtohet në një kujtesë etnocentrike dhe njëdrejtimëshe, në simbole të përvetësuara partiakisht dhe në kremtime që e shohin Maqedoninë vetëm përmes një dritareje identitare, ekziston një detyrim moral që publikisht të thuhet se kjo është varfërim i atdheut”, ka theksuar deputeti.
Bytyqi vlerëson se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të mbetet vetëm një dokument historik, por të shërbejë si kriter për matjen e pjekurisë demokratike të shoqërisë dhe funksionimit të institucioneve.
Ai nënvizoi se sfida kryesore mbetet ndërtimi i institucioneve që u shërbejnë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe që gjuhët, kulturat dhe komunitetet e ndryshme t’i trajtojnë si pasuri të përbashkët.
Në fund, Bytyqi porositi se e ardhmja e vendit është e lidhur ngushtë me ruajtjen e vlerave të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
“Maqedonia ka të ardhme vetëm si republikë e përbashkët evropiane e qytetarëve të lirë, të barabartë dhe dinjitozë. Ky është shpirti i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe kuptimi i pavarësisë”, ka theksuar ai.
