Prishtinë, 13 gusht, Zhurnal.mk – Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë akuzuar pushtetin se po e merr peng Kuvendin e Kosovës dhe se po tenton të ndikojë edhe në administratën e këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se partia e saj do t’i drejtohet sekretares së Kuvendit lidhur me një komunikatë të publikuar nga Kuvendi për vizitat e deputetëve në sallën plenare.
Ajo e cilësoi si “skandaloze” komunikatën, duke thënë se Kuvendi nuk i takon asnjë partie politike.
“Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike, e cila provon që përmes diktatit të nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit. Pra komunikata në fjalë thotë, po e citoj, ‘Në ditën e tretë, vizita e sallës plenare është ndërprerë për disa minuta pasi deputetë të PDK-së dhe të AAK-së kishin zënë sallën plenare në një kohë kur nuk ishte thirrur asnjë seancë’”, tha ajo.
Deliu-Kodra tha se do të kërkojë sqarime nga sekretarja e Kuvendit, duke theksuar se administrata duhet të jetë neutrale.
“Dua të ndaj me ju këtë shqetësim sepse ky vend, Kuvendi i Republikës nuk është i një partie politike. Kuvendi i Republikës i takon të gjithë deputetëve të zgjedhur të parlamentit, të cilët janë betuar në këtë parlament. Dhe nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e Kuvendit. Prandaj, për këtë do të takohemi me sekretaren bashkë me dy kolegët e mi, sepse nuk guxon që ky institucion kaq i rëndësishëm të merret peng nga vullneti dhe nënshtrimi që provon ta bëjë një parti politike”, tha ajo.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se shqetësimi i tyre lidhet me, siç u shpreh, politizimin e administratës së Kuvendit.
“Pra, shqetësimi jonë është i thellë dhe ka bazë, sepse tashmë ky pushtet ka arritë që ta okupojë jo vetëm zyrat politike, po fatkeqësisht edhe ato zyra që për detyrë dhe përshkrim pune kanë me qenë neutrale”, tha Behrami.
Ai theksoi se të gjithë deputetët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë nga administrata dhe Zyra për Media e Kuvendit.
“Nuk ka këtu deputetë të kategorisë së parë dhe deputetë të kategorisë së dytë. Të gjithë jemi deputetë, të gjithë jemi të barabartë dhe para zyrës së medieve, çdo grup parlamentar është i njëjtë dhe duhet me qenë i njëjtë”, tha ai.
Behrami akuzoi ushtruesen e detyrës së presidentes dhe kryetaren në detyrë të Kuvendit, Albulena Haxhiu, se ka ndikuar në funksionimin e Zyrës për Media.
“Por ky pushtet nuk ndalet. Çfarë ka bë zonja Albulena Haxhiu, e cila po ashtu e ka uzurpu këtë zyrën pra prapa nesh, e ka marrë një zyrtare nga Ministria e Drejtësisë dhe e ka futë në Kuvendin e Kosovës në Zyrën për Media. Dhe ajo tashmë funksionon me skript të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Dejona Mihalit dhe nuk funksionon as me Rregulloren e Kuvendit, as me ligje e as me Kushtetutë”, tha ai.
