638
Tiranë, 13 gusht, Zhurnal.mk – Në qarkun e Shkodrës gjatë natës ka pasur disa vatra zjarri me përmasa serioze në Vaun e Dejës, Shkodër dhe Malësi të Madhe.
Prefektja e qarkut të Shkodrës, Holta Duda informoi sot se në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektura e Qarkut Shkodër ka vijuar koordinimin e forcave operacionale vendore dhe qendrore.
Sipas saj, falë punës së pandërprerë të efektivëve zjarrfikës, vatrat në Shkodër, Malësi të Madhe u vunë nën kontroll brenda disa orësh.
Për momentin vetëm vatra në Vaun e Dejës është aktive, por është nën kontroll.
Gjatë gjithë natës, rreth 30 efektivë zjarrfikës kanë punuar pa ndërprerje. Ekipit të MZSH Vau Dejës iu bashkuan ekipet e MZSH Shkodër, Pukë dhe Fushe- Arrëz si dhe efektivë e mjet ZF të Forcave të Armatosura.
Ndërhyrja në orët e para bëri të mundur izolimin e zjarrit, shmangien e rrezikut për banesat dhe mbrojtjen e trasesë së linjës së transmetimit.
Duda tha se aktualisht mbetet një vatër aktive, ku puna vijon për shuarjen e plotë.
Prefektja Duda shprehu mirënjohje për ekipeve të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcave të Armatosura, strukturave të Emergjencave Civile, shërbimit pyjor dhe efektiveve të Policisë për angazhimin dhe punën e pandërprerë në terren, si dhe banorëve vullnetarë që, pa asnjë hezitim, iu bashkuan operacionit.
