Ben-Gvir bën thirrje për vrasjen e më shumë palestinezëve në Gaza

Nga D. V.
713 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tel Aviv, 17 gusht, Zhurnal.mk – Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, i krahut të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, ka bërë thirrje për vrasjen e më shumë palestinezëve në Gaza, në prag të bisedimeve për rendin e ardhshëm në territorin e shkatërruar nga lufta.

Ai tha gjithashtu se nuk është dakord me kryeministrin Benjamin Netanyahu për këtë çështje.

Ben-Gvir, kreu i partisë së ekstremit të djathtë ”Otzma Yehudit” (”Fuqia Hebraike”), i bëri deklaratat në një podcast me ish-pengun izraelit në Gaza, Rom Braslavski.

Podcasti u publikua të shtunën në mbrëmje.

”Unë mendoj se në Gaza duhet të kryhen vrasje të shënjestruara, duke eliminuar 30, 40 persona çdo natë”, tha Ben-Gvir.

Ai sqaroi se nuk e kishte fjalën vetëm për militantët palestinezë që përbëjnë kërcënim të menjëhershëm.

Sipas tij, në Gaza ka edhe persona që ”nuk meritojnë të jetojnë”.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, dënoi deklaratat e Ben-Gvirit në një postim në X sot paradite.

”Ky kriminel sionist flet njëkohësisht për dëbimin e palestinezëve dhe për ndërtimin e vendbanimeve në të gjithë Rripin e Gazës”, shkroi ai.

“Këto deklarata duhet të ruhen si prova për një proces të ardhshëm gjyqësor”, shtoi Gharibabadi.

Deklaratat e Ben-Gvirit vijnë në prag të bisedimeve të reja diplomatike për të ardhmen e Gazës, të ndërmjetësuara nga Jared Kushner, i dërguari amerikan dhe dhëndri i presidentit Donald Trump.

Kushner zhvilloi dje në Egjipt bisedime me presidentin Abdel Fattah al-Sissi dhe përfaqësues të Hamasit lidhur me të ardhmen e Rripit të Gazës.

Ai pritet të takohet sot në Izrael me kryeministrin Netanyahu.

Në takim pritet të marrin pjesë edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe Nickolay Mladenov, përfaqësuesi i lartë për Gazën në bordin e Trumpit për Paqen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër