GLPS ankohet në AIP për heshtjen e Qeverisë në detyrë lidhur me dorëheqjet e ministrave

Nga D V
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 17 gusht, Zhurnal.mk – Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi Zyra e Kryeministrit nuk i është përgjigjur kërkesës së organizatës për qasje në dokumente publike lidhur me dorëheqjet e anëtarëve të Qeverisë në detyrë që janë zgjedhur deputetë.

GLPS ka bërë të ditur se kërkesën për qasje në dokumente e kishte dorëzuar më 6 gusht, duke kërkuar listën e anëtarëve të Qeverisë që kanë dhënë dorëheqje, datat e dorëheqjeve si dhe vendimet përkatëse për pranimin e tyre.

Sipas GLPS-së, kërkesa lidhet me dispozitat e Ligjit për Qeverinë, i cili përcakton se anëtari i Qeverisë në detyrë që zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti i ministrit para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Organizata i është referuar edhe nenit 72 të Kushtetutës, i cili ndalon ushtrimin e njëkohshëm të funksionit të deputetit dhe ministrit. Sipas GLPS-së, kjo çështje është trajtuar edhe nga Gjykata Supreme në vendimin P.A.nr.09/2025 të 25 qershorit 2025.

“Përkundër obligimit ligjor dhe rëndësisë së kësaj çështjeje, ZKM nuk i është përgjigjur kërkesës së GLPS-së brenda afatit prej 7 ditësh”, thuhet në reagimin e organizatës.

GLPS e ka cilësuar heshtjen e Zyrës së Kryeministrit si shkelje të detyrimeve ligjore dhe të parimeve të transparencës e llogaridhënies institucionale.

Për këtë arsye, më 17 gusht, GLPS ka dorëzuar ankesë në AIP, duke kërkuar që ZKM-ja të obligohet t’i ofrojë informacionet dhe dokumentet e kërkuara.

GLPS ka kërkuar gjithashtu nga Qeveria që pa vonesa ta informojë publikun për statusin e dorëheqjeve të anëtarëve të Qeverisë në detyrë që janë zgjedhur deputetë dhe t’i bëjë publike dokumentet përkatëse.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër