Rrëzohet një dron i ardhur nga Bjellorusia

Nga D. V.
966 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Riga, 17 gusht, Zhurnal.mk – Një dron i rrëzuar nga avionët luftarakë të NATO-s mbi territorin e Letonisë javën e kaluar kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit nga Bjellorusia fqinje, deklaroi sot ministri letonez i Mbrojtjes, Raivis Melnis.

Megjithatë, ministri theksoi se origjina e dronit mbetet ende e paqartë.

Avionë luftarakë italianë “Eurofighter” rrëzuan të premten dronin mbi rajonin e Balvit, në verilindje të Letonisë, rreth 20 kilometra nga qyteti me të njëjtin emër.

Ushtria letoneze kontrolloi vendin ku u rrëzua droni dhe shpërtheu në mënyrë të kontrolluar mbetjet e rrezikshme.

Sipas Melnis, pjesë të mjetit fluturues vazhdojnë të analizohen nga ekspertët për të përcaktuar origjinën dhe funksionin e tij.

Sipas ushtrisë letoneze, droni hyri në hapësirën ajrore të vendit si pasojë e ndërhyrjeve ruse në sinjalet e navigimit.

Kjo ka nxitur dyshimet se mund të bëhej fjalë për një dron ukrainas që kishte devijuar nga trajektorja e tij.

Letonia kufizohet me Rusinë në lindje dhe që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë regjistruar disa incidente me dronë në territorin e saj.

Në disa raste, dronë që kishin humbur drejtimin kanë hyrë në hapësirën ajrore letoneze dhe janë rrëzuar pasi ishin devijuar nga objektivat e tyre në veriperëndim të Rusisë.

Në fillim të qershorit, avionët luftarakë të NATO-s rrëzuan një tjetër dron të devijuar mbi territorin e Letonisë.

Melnis paralajmëroi se dronët që hyjnë në territorin letonez do të vazhdojnë të rrëzohen për të mbrojtur sigurinë e banorëve dhe pronën e tyre.

Sipas tij, rreziku i incidenteve të tjera me dronë mbetet i pranishëm.

“Ukraina po mbron veten dhe vazhdon të sulmojë territorin rus me dronë, ndërsa Rusia po merr kundërmasa”, tha ministri letonez i Mbrojtjes.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër