Ministria e Mbrojtjes: 7 vatra aktive zjarri dhe 2 në monitorim, 472 forca në operacione

Nga D. V.
474 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 7 vijojnë aktive dhe 2 janë nën monitorim, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 472 forca operacionale dhe 28 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 129 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren janë 140 efektivë të FA-së, një automjet zjarrfikës, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Në Malin e Dajtit në Tiranë, situata vijon të mbahet nën kontroll, megjithëse vatra mbetet aktive në të dyja anët e kreshtës. Operacioni për izolimin e saj vijon me forcat operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së dhe një helikopter të Forcës Ajrore. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Vakumone në Tiranë, situata është nën kontroll dhe vatra është izoluar, ndërsa Priska vijon të jetë në monitorim.

Në Gurë-Lurë, Dibër, vijon një nga operacionet më të mëdha, me angazhimin e 180 forcave bashkiake, 14 forcave të Policisë dhe 30 efektivëve të FA-së, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor”. Korridoret e hapura kanë penguar avancimin e zjarrit drejt banesave. Operacioni vijon për izolimin e plotë të vatrës dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë Helmës, në Dibër/Bulqizë, zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Bruç të Matit, operacioni vijon në një terren shkëmbor dhe të vështirë, ndërsa sot ndërhyrja është përforcuar edhe me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Nuk ka rrezik për banesat.

Në Lufaj të Mirditës, vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe me avancim të lehtë. Në operacion janë angazhuar strukturat e MZSH-së, Policia, Shërbimi Pyjor, forcat bashkiake dhe banorët, me mbështetjen e një helikopteri, dy automjeteve zjarrfikëse të FA-së dhe 9 efektivëve ushtarakë.

Në Fushë-Lajë në Pukë, vijon operacioni në terren të vështirë, ku era ka favorizuar përhapjen e zjarrit drejt pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit. Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë të MZSH-së, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca vendore, 15 vullnetarë, 30 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në përgjithësi, situata po menaxhohet përmes një angazhimi të konsiderueshëm të kapaciteteve tokësore dhe ajrore, me prioritet izolimin e vatrave aktive dhe mbrojtjen e zonave të banuara. Në disa zona vatrat janë nën kontroll ose të izoluara, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat në vatrat kryesore aktive.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër