Levica: 34 vite ushtri me mbi 4% të BPV-së për mbrojtje deri te ushtria më e dobët në rajon

Nga D. V.
718 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 gusht, Zhurnal.mk – Me rastin e 34-vjetorit të formimit të Ushtrisë, Levica përmes një kumtese kritikon se ushtria maqedonase, pavarësisht ndarjeve të larta buxhetore për mbrojtje, prej vitesh përballet me dobësim të kapaciteteve kadrovike dhe materiale.

Partia kujton rolin e Ushtrisë në konfliktin e vitit 2001, duke theksuar se detyra e saj themelore është mbrojtja e integritetit territorial të shtetit. Megjithatë, sipas tyre, në vend të forcimit të mëtejshëm, gjatë dekadave të fundit janë zbatuar politika që kanë çuar në degradimin e saj.

Levica pretendon se Ushtria përballet me krizë kadrovike, largim të personelit të trajnuar dhe pakënaqësi për shkak të pagave dhe kushteve të punës. Sipas partisë, një pjesë e kazermave janë në gjendje të keqe, me probleme në ngrohje, kushte sanitare, lagështi dhe mirëmbajtje.

Si probleme përmenden edhe mungesa e uniformave, këpucëve dhe pajisjeve taktike të përshtatshme, për shkak të së cilës, siç thonë nga Levica, disa pjesëtarë i blejnë vetë pajisjet. Partia vlerëson se ushtarët janë të mbingarkuar për shkak të mungesës së kuadrit, ndërsa avancimet, transferimet dhe dërgimet në misione të huaja shpesh kanë qenë nën ndikim politik.

Kritika ka edhe ndaj procesit të modernizimit. Levica thotë se blerjet e pajisjeve janë të ngadalta dhe se shteti mbështetet tepër në teknologji ushtarake të huaj, ndërsa industria vendore e mbrojtjes mbetet e pazhvilluar. Partia konsideron se Ushtria nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me kërcënimet moderne hibride dhe kibernetike.

Sipas Levicës, ndarjet e larta për mbrojtje nuk janë garanci e mjaftueshme për një ushtri të fortë nëse mjetet nuk drejtohen drejt zhvillimit afatgjatë dhe të pavarur të kapaciteteve mbrojtëse.

Partia kritikon edhe politikat e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në sektorin e sigurisë, duke vlerësuar se Ushtria prej vitesh ka qenë objekt i ndikimeve politike dhe kalkulimeve partiake.

Levica porosit se menaxhimi i sektorit të mbrojtjes duhet t’u besohet profesionistëve dhe se është e nevojshme forcimi i kapaciteteve ushtarake, përbërjes kadrovike dhe industrisë vendore të mbrojtjes.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër