Ndihmë dhe kujdes në shtëpi, qendra ditore për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara

Nga D. V.
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 gusht, Zhurnal.mk – Dje u nënshkruan kontratat për grante në kuadër të projektit të dytë për përmirësimin e shërbimeve sociale, me ç’rast nëntë komuna në Maqedoni do të marrin shërbime të reja lokale për të moshuarit, personat e pafuqishëm dhe personat me aftësi të kufizuara.

Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë njoftuan se me grantet e ndara mbështetet zhvillimi i shërbimeve sociale të qasshme, cilësore dhe të qëndrueshme në komunitetin lokal, të përshtatura me nevojat e përdoruesve dhe të orientuara drejt përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre.

Komunat që përfshihen janë: Gazi Babë, Petrovec, Saraj, Valandovë, Plasnicë, Bogovinë, Jegunovcë, Prilep dhe Krivogashtan.

Në Gazi Babë, Petrovec, Saraj dhe Valandovë do të vendoset shërbimi i ndihmës dhe kujdesit në shtëpi, i destinuar për personat që për shkak të moshës, gjendjes shëndetësore ose funksionalitetit të reduktuar nuk mund të kujdesen plotësisht për veten. Kujdestarët do të ndihmojnë në higjienën personale, veshjen, ushqimin, përgatitjen e vakteve, blerjen e produkteve dhe barnave, si dhe në aktivitete të tjera të përditshme, sipas nevojave të vlerësuara.

Në Plasnicë, Bogovinë dhe Jegunovcë janë parashikuar qendra ditore për të moshuarit, ndërsa në Prilep dhe Krivogashtan do të hapen qendra ditore për personat me aftësi të kufizuara.

Kujdesi në shtëpi është veçanërisht i rëndësishëm për familjet ku një anëtar i moshuar nuk mund të kryejë vetë detyrat e përditshme, ndërsa të afërmit e tij, për shkak të punës ose angazhimeve të tjera, nuk mund të jenë gjithmonë të pranishëm. Qëllimi është që personi, kur është e mundur, të vazhdojë të jetojë në shtëpinë dhe mjedisin e tij, ndërsa mbështetja e nevojshme t’i vijë në adresë.

Praktika e deritanishme ka treguar se numri i orëve të ndihmës nuk është i njëjtë për çdo përdorues, por përcaktohet sipas nevojave individuale dhe vlerësimit të shërbimeve kompetente.

Sipas modelit të projektit, shërbimet janë të orientuara drejt personave mbi 65 vjeç që nuk mund të kujdesen vetë, personave me aftësi të kufizuara dhe qytetarëve të tjerë me kapacitet të reduktuar funksional.

Grantet janë të destinuara për vendosjen e shërbimeve dhe për funksionimin e tyre gjatë 12 muajve të parë. Shuma varet nga lloji i shërbimit, kapaciteti i planifikuar dhe shpenzimet e nevojshme.

„Përmes projektit të dytë për përmirësimin e shërbimeve sociale, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë vazhdon të mbështesë komunitetet lokale në zhvillimin e shërbimeve sociale që i përgjigjen nevojave reale të qytetarëve dhe kontribuojnë për një sistem më gjithëpërfshirës, më të qasshëm dhe më të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale“, theksojnë nga Ministria.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër