Shkup, 19 gusht, Zhurnal.mk – LSDM tashmë një muaj ikën nga përgjegjësia politike për gjendjen në Gostivar, edhe pse bashkë me Valbon Limanin ndan pushtetin lokal në këtë komunë, akuzoi sot në konferencë për shtyp Mile Lefkov, anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe deputet nga radhët e VMRO-DPMNE.
Nga partia në pushtet theksojnë se opozita, në vend që të kërkojë përgjegjësi, e akuzon VMRO-DPMNE-në për problemin lokal me ujin.
“Një muaj LSDM ikën nga e vërteta, e ajo është se bashkë me Limanin ndajnë pushtetin lokal dhe me këtë edhe përgjegjësinë për Gostivarin. LSDM nuk kërkoi përgjegjësi nga Limani, e aq më pak e pranoi përgjegjësinë e vet politike si partner i tij në pushtetin lokal”, deklaroi Lefkov.
Sipas VMRO-DPMNE-së, kriza në Gostivar është tejkaluar falë ndërhyrjes direkte të pushtetit qendror.
“Për shkak të paaftësisë së LSDM, BDI dhe Partisë së Taravarit, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE i mori gjërat nën kontroll dhe ky problem u zgjidh”, tha Lefkov.
Ai shtoi se institucionet kanë qenë në terren që nga fillimi dhe kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për t’u ndihmuar banorëve.
“Ndërsa LSDM ishte e zënë me përhapjen e histerisë dhe me numërimin e çezmave nëpër shtet, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE që nga momenti i parë ishte me qytetarët e Gostivarit, mori të gjitha masat për tejkalimin e krizës dhe banorët çdo ditë i furnizonte falas me ujë”, theksoi deputeti.
Nga Qendra për Komunikime e VMRO-DPMNE nënvizojnë se organet kompetente po e hetojnë rastin, ndërsa uji në Gostivar është sërish i sigurt për pije.
