Jaafar Jackson reagon ndaj kritikave se filmi “pastroi” jetën e Michael Jackson: Pjesa e dytë do të tregojë më shumë

Nga D V
507 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Jaafar Jackson, nipi i Michael Jackson, ka reaguar ndaj kritikave se filmi biografik “Michael” e ka paraqitur në mënyrë të zbutur jetën dhe kontroverset e Mbretit të Popit.

Aktori, i cili luan rolin e xhaxhait të tij në film, ka lënë të kuptohet se një vazhdim mund t’i trajtojë më gjerësisht akuzat për abuzim seksual.

Në një intervistë për “GQ Middle East”, Jaafar tha se filmi i dytë pritet të japë më shumë hapësirë për këndvështrimin e Michael Jackson mbi akuzat ndaj tij, shkruan DailyMail.

“Mendoj se filmi i dytë do të japë edhe më shumë informacion nga këndvështrimi i tij, sepse në fund të fundit, akuzat vijnë gjithmonë nga dikush tjetër”, u shpreh ai.

Filmi “Michael” është kritikuar nga disa prej kritikëve për faktin se nuk përfshiu në mënyrë të drejtpërdrejtë skandalet dhe akuzat për abuzim seksual me të mitur që kanë shoqëruar prej vitesh figurën e këngëtarit.

Jaafar, megjithatë, sqaroi se skenari i filmit të dytë është ende në zhvillim dhe se ai nuk ka kontroll mbi mënyrën se si do të trajtohet historia.

Akuzat ndaj Michael Jackson nisën të bëheshin publike në vitin 1993, ndërsa në vitin 2005 këngëtari u përball me një gjyq penal për akuza për abuzim seksual të një të mituri. Jackson u shpall i pafajshëm në të gjitha akuzat penale.

Jaafar, djali i Jermaine Jackson, ka kaluar rreth tre vjet duke u përgatitur për rolin e Michael. Ai ka treguar gjithashtu se për herë të parë e kuptoi peshën e trashëgimisë së familjes së tij kur pa xhaxhallarët e tij të performonin para mijëra fansave në Madison Square Garden.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër