VLEN: Për 14 jetët e humbura nuk mund të përgjigjet “kablli”

Nga D V
905 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 gusht, Zhurnal.mk – VLEN përmes kumtesës sotshme ka reaguar për vendimin e Prokurorisë për Krim të Organizuar në lidhje me tragjedinë në Tetovë.

Kumtesa e plotë:
Sakrificimi i vetëdijshëm i akuzës për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë paraqet përsëri sakrifikim të 14 viktimave, të dinjitetit të tyre dhe të dhimbjes së të afërmve.

Ali Ahmeti dhe Prokuroria e udhëhequr nga Islam Abazi i detyrohen përgjigje opinionit: si është e mundur që pas 14 jetëve të humbura në fund të dalë se “fajtor” është kablli? Ky rast rrezikon të mbetet i shënuar si një nga shembujt më të turpshëm të papërgjegjësisë institucionale dhe drejtësisë së kapur.

Drejtësia nuk duhet të varet nga ndikimi politik, përkatësia partiake apo funksioni. Kur për një tragjedi me 14 viktima nuk ka përgjegjësi të plotë dhe jo‑selektive, atëherë nuk bëhet fjalë vetëm për dështim të një akuze, por për një humbje të rëndë të të gjithë sistemit gjyqësor.

Ky epilog skandaloz shkon në kurriz të udhëheqjes së pareformuar të BDI‑së, e cila edhe një herë tregon se shqiptarët në Maqedoni i përdor si alibi të përsosur për obsesionin e saj me pushtetin – pushtet që për ta nënkupton privilegje, tenderë dhe karrige, e jo përgjegjësi para qytetarëve.

Për BDI‑në, duket se jetët njerëzore janë vetëm statistikë. Pa shpirt, pa moral dhe pa empati. Por për familjet e viktimave ato janë jetë të pazëvendësueshme, ndërsa për shoqërinë – detyrim që e vërteta të zbulohet dhe drejtësia të realizohet plotësisht.

VLEN nuk do të lejojë që tragjedia në Tetovë të harrohet, as përgjegjësia të varroset në labirintet prokuroriale e gjyqësore. Do të vazhdojmë të kërkojmë hetim të pavarur, përgjegjësi jo‑selektive dhe drejtësi për secilën nga 14 jetët e humbura.

Dënimi politik për këtë sjellje të papërgjegjshme dhe jo‑popullore do të vijë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të mbahen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër