262 kundërvajtje, 102 motoçiklistë të sanksionuar, 6 të arrestuar

Nga Xh M
882 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 gusht Zhurnal.mk – Gjithsej 262 drejtues janë sanksionuar gjatë një kontrolli të përforcuar rrugor të zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Shkup, nga ora 18:00 deri në 01:00, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Kontrolli u realizua nga Njësia për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor dhe stacionet policore me kompetencë të përgjithshme pranë SPB Shkup, me fokus të veçantë te motoçikletat, mopedët, triçikletat dhe katërçikletat.

Nga gjithsej 262 sanksione, 102 u shqiptuan ndaj drejtuesve të motoçikletave dhe mopedëve. Prej tyre, 93 ishin për drejtim të motoçikletës pa helmetë mbrojtëse, katër për drejtim me kategori të papërshtatshme dhe pesë për drejtim pa e dhënë provimin e vozitjes.

Policia ka shqiptuar edhe 160 masa të tjera për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë mosmbajtjen e patentë shoferit, mosmbajtjen e lejes së qarkullimit, mosvendosjen e targave dhe kalimin në semafor të kuq.

Gjatë kontrolleve, një motoçikletë është konfiskuar përkohësisht për shkak se regjistrimi i saj kishte skaduar prej më shumë se gjashtë muajsh. Ndërkohë, gjashtë persona janë privuar nga liria në bazë të nenit 297-a të Kodit Penal.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se kontrollet rrugore do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Policia u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër