PD kërkon riorganizim të pushtetit vendor, Boçi: 100 bashki dhe rajone me kompetenca administrative dhe financiare

Nga Xh M
722 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë 27 gusht Zhurnal.mk – Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, bashkëkryetari i Reformës Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, prezantoi qëndrimin e opozitës për riorganizimin e pushtetit vendor. Boçi shpjegoi se vendimi i PD-së për t’u përfshirë në komisionin parlamentar për reformën territoriale nuk nënkupton mbështetje apo legjitimim të hartës së propozuar nga mazhoranca. Sipas tij, opozita synon të paraqesë një alternativë që adreson problemet e krijuara pas reformës së vitit 2015.

Ai kritikoi modelin aktual, duke theksuar se reforma nuk ka sjellë shërbimet më pranë qytetarëve. Ndër problemet kryesore përmendi përqendrimin e pushtetit, dobësimin e përfaqësimit në zonat rurale, largimin e shërbimeve dhe mungesën e burimeve financiare e kompetencave për njësitë administrative.

Alternativa e PD-së parashikon një strukturë me dy nivele të qeverisjes vendore: 100 bashki dhe rajone ose qarqe. Sipas propozimit, rajonet do të kenë kompetenca të përcaktuara administrative dhe financiare, duke marrë një rol më të madh në koordinimin e politikave dhe shërbimeve mes bashkive.

Në këtë model, rajonet do të mund të angazhoheshin në fusha si planifikimi urban, menaxhimi i mbetjeve, administrimi i ujërave dhe shërbime të tjera që, sipas PD-së, janë të vështira për t’u menaxhuar në mënyrë efektive nga bashkitë e vogla. Sipas Boçit, synimi i këtij propozimi është krijimi i një organizimi vendor më të balancuar, me më shumë përfaqësim, kompetenca dhe burime financiare për njësitë vendore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër