Tiranë, 31 gusht, Zhurnal.mk – Shkolla “Edith Durham” është gati të hapë dyert në shtator me hapësira të reja dhe moderne për nxënësit dhe mësuesit.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga ambientet e rikonstruktuara të shkollës 9-vjeçare në kryeqytet.
“Nga ky shtator, nxënësit do ta zhvillojnë mësimin në ambientet e shkollës së tyre, duke i dhënë fund një zgjidhjeje të shumëpritur për familjet e komunitetit dhe duke nisur një kapitull të ri për këtë shkollë”, tha Kumbaro.
Shkolla ka tashmë klasa, laboratorë, ambiente sportive dhe kushte më të mira për mësim e aktivitete pas shkolle.
Nga një godinë me dy kate, shkolla e re është me katër kate, njëri prej të cilëve nëntokë dhe shërben për të mbajtur bazën materiale, pa ngushtuar hapësirat për fëmijët.
Tre katet e tjera të godinës janë të aksesueshme përmes ashensorit, duke lehtësuar edhe lëvizjen për fëmijët me aftësi të veçanta.
Një tjetër hapësirë e rëndësishme e shkollës së re është edhe palestra, e cila mund të përdoret edhe nga banorët e Njësisë 5.
