Balla në Kavajë: Rritja e prodhimit vendas, prioritet për ekonominë shqiptare

Nga D V
483 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 31 gusht, Zhurnal.mk – Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, vizitoi kompaninë “Chicken Farm” në Kavajë, një nga sipërmarrjet e rëndësishme në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të mishit të pulës.

Gjatë vizitës, Balla u njoh nga afër me aktivitetin e kompanisë, e cila punëson dhjetëra punonjës dhe operon me teknologji moderne, duke garantuar standarde të larta në të gjithë zinxhirin e prodhimit. Përfaqësuesit e biznesit shpjeguan se procesi i rritjes së shpendëve, ushqimi, ajrimi, ngrohja, ftohja dhe përpunimi realizohen përmes sistemeve të automatizuara, ndërsa pajisjet kryesore janë të teknologjisë italiane.

Balla vlerësoi investimin dhe standardet e krijuara në fermë, duke theksuar se zhvillimi i prodhimit vendas është një nga prioritetet kryesore për ekonominë shqiptare.

“Me mbylljen në shtator të importeve nga Brazili, prodhimi vendas i mishit të pulës duhet të marrë një hov të ri. Sipërmarrjet shqiptare duhet të rrisin kapacitetet prodhuese, në mënyrë që konsumatorët të kenë sa më shumë produkte “Made in Albania””, u shpreh Balla.

Gjatë bashkëbisedimit me drejtuesit e kompanisë, u diskutua edhe projekti për ndërtimin e një thertoreje të re sipas standardeve të Bashkimit Europian. Balla theksoi se programet e reja të mbështetjes financiare të qeverisë janë një mundësi konkrete për bizneset prodhuese që synojnë zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e investimeve.

Ai garantoi mbështetje dhe orientim për aplikimin në skemat financiare që synojnë forcimin e sektorit agro-ushqimor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në treg.

Vizita në “Chicken Farm” u konsiderua një shembull i bashkëpunimit mes institucioneve dhe sipërmarrjes private për të nxitur prodhimin vendas, punësimin dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër