Prishtinë, 1 shtator, Zhurnal.mk – Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosoëvs (AKK), Sazan Ibrahimi ka thënë se mesazhet që janë dhënë nga protesta e sotme e komunave para Qeverisë, nuk janë partiake dhe nuk janë kërkesa personale të kryetarëve, raporton Ekonomia Online.
“Mesazhet që u dhanë nga ky shesh nuk janë partiake dhe nuk janë kërkesa personale të kryetarëve. Ato përfaqësojnë interesat e komunave dhe qytetarëve të tyre. Komunat nuk po kërkojnë privilegje. Ato kërkojnë aq sa u takon me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi: buxhetin, pronën, kompetencat dhe trajtimin e barabartë institucional.
Nuk mund të vazhdojë praktika ku niveli qendror merr vendime dhe krijon obligime, ndërsa komunave u dërgon faturën. Nuk mund të kërkohet nga komunat të ofrojnë më shumë shërbime, ndërkohë që u merren mjetet, u zvogëlohet financimi dhe u cenohen kompetencat”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi ka paraqitur edhe kërkesat që AKK-ja, ka për Qeverinë.
“Përballë këtyre padrejtësive, Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk ka heshtur dhe nuk do të heshtë. Kemi reaguar sa herë që janë cenuar interesat e komunave. Ne përfaqësojmë komunat e Republikës së Kosovës. Prandaj, në emër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, i paraqes kërkesat tona të drejtuara qeverisë:
1. E para: Kërkojmë që qeveria t’i kompensojë obligimet financiare që burojnë nga kontrata kolektive dhe që po u merren komunave përmes ekzekutimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore. Komunat nuk mund të paguajnë për obligime që nuk i kanë krijuar vetë.
2. E dytë: Kërkojmë që kompensimi retroaktiv për normën e përvojës së punës prej 0.5% nga marrëveshja e vitit 2023, si dhe për vitet 2024 dhe 2025, të mbulohen nga buxheti qendror dhe jo nga buxhetet e komunave. Është e drejtë dhe e domosdoshme që edhe obligimet për vitet paraprake, të krijuara si pasojë e mospërshtatjes me kohë të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, të mbulohen nga niveli qendror.
3. E treta: Kërkojmë rishikimin e kritereve të grantit specifik për arsim. Mbi 3,100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim, duke i krijuar komunave një borxh shtesë vetëm për këtë vit prej mbi 24 milionë eurosh.
4. E katërta: Kërkojmë ndërprerjen e centralizimit dhe cënimit të kompetencave komunale, përfshirë pronën komunale, procedurat e rekrutimit dhe kompetencat e tjera vetanake.
5. E pesta: Kërkojmë përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian dhe për zvogëlimin e mjeteve të grantit të performancës komunale.
6. E gjashta: Kërkojmë kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që nga viti 2022.
7. E shtata: Kërkojmë krijimin e grantit të katërt për investime kapitale me me kritere të qarta, ligjore dhe transparente.
Këto kërkesa janë të qarta, të argumentuara dhe të realizueshme. Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon nga qeveria që t’i trajtojë me seriozitet dhe të hapë dialogun për zbatimin e tyre. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë bashkëpunim institucional. Nuk kemi heshtur deri më sot dhe nuk do të heshtim as në të ardhmen. Do të vazhdojmë t’i mbrojmë komunat me argumente, me ligj dhe me të gjitha mjetet demokratike institucionale.
Prandaj, mesazhi ynë për ju sot është: Mos u merrni komunave atë që u takon qytetarëve”, ka deklaruar ai.
