Manaj: Bekim Sejdiu figura e duhur për president, i bindur se të gjithë deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në votim

Nga D V
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 1 shtator, Zhurnal.mk – Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka folur para mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, duke shprehur bindjen e tij se kandidatura e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës do të mbështetet nga organet e partisë dhe deputetët e saj, raporton Ekonomia Online.

Manaj tha se qëndrimin për Sejdiun e kishte bërë të ditur edhe një ditë më parë, duke e cilësuar atë si figurën e duhur për president.

“E kam dhënë edhe dje qëndrimin, mendoj që Bekim Sejdiu është figura e duhur për president të Republikës. Ky qëndrim për kandidat konsensual për president të Republikës ka ndodhur pas mbledhjes së grupit parlamentar javën e kaluar dhe jam i bindur që edhe sot Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të gjitha organet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të jenë për kandidaturën e zotit Bekim Sejdiu për president të Republikës”, deklaroi Manaj.

I pyetur nëse do të merren masa ndaj deputetëve që mund të votojnë kundër apo të mos marrin pjesë në votimin për presidentin, Manaj u shpreh i bindur se të gjithë deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në seancë.

“Por unë jam i bindur që të gjithë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të marrin pjesë në seancë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Manaj mohoi gjithashtu raportimet se gjashtë deputetë të LDK-së kanë krijuar një grup të veçantë parlamentar.

“Jo, nuk është, nuk është e vërtetë. Grupi parlamentar është unik, të gjithë deputetët janë në kryerjen e detyrave të tyre. Sot e kemi mbledhjen e Kryesisë Qendrore, domethënë tash pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore është edhe mbledhja e grupit parlamentar, që besoj që të gjithë deputetët e grupit parlamentar do të vendosin në pajtim me qëndrimet dhe vendimin e Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh Manaj.

I pyetur për deklaratën e deputetit Avdullah Hoti se nuk e ka votën për kandidaturën, Manaj tha se beson se edhe Hoti do ta mbështesë zgjedhjen e presidentit dhe kandidaturën e Sejdiut.

“Unë jam i bindur se edhe zoti Hoti do të jetë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, sepse zoti Bekim Sejdiu, mendoj që është figura e duhur, duke qenë edhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, diplomat me karrierë. Ai përfaqëson, do të thotë, të gjitha kriteret që i duhen presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës së vendit, por edhe të udhëheqjes së politikës së jashtme dhe, çka është më e rëndësishmja, të ruajtjes së unitetit të popullit”, deklaroi Manaj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër