Sulejmani përgënjeshtron AKI-n: Nuk ka mbyllje të paraleles shqipe në Butel

Nga D V
492 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 shtator, Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka bërë të ditur se në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski Penko” në Butel nuk është mbyllur asnjë paralele në gjuhën shqipe.

Në një konferencë për media, Sulejmani sqaroi se vitin e kaluar në klasën e parë në gjuhën shqipe kanë funksionuar katër paralele dhe po aq janë formuar edhe këtë vit.

“Pretendimi se këtë vit është mbyllur një paralele në gjuhën shqipe nuk përputhet me dokumentacionin zyrtar. Vitin e kaluar kanë funksionuar katër paralele dhe po aq funksionojnë edhe këtë vit”, deklaroi Sulejmani.

Ai njoftoi gjithashtu se, pas koordinimit me Komunën e Butelit, janë regjistruar mbi 30 fëmijë nga Çairi, të cilët jetojnë në afërsi të shkollës dhe kanë vëlla ose motër që tashmë ndjek mësimin në “Penko”.

Sipas Sulejmanit, pas përfundimit të regjistrimit, katër paralelet kanë mesatarisht nga 25 nxënës, ndërsa organizimi është bërë në përputhje me ligjin dhe me kujdes për cilësinë e procesit edukativo-arsimor.

“Me regjistrimin e mbi 30 fëmijëve nga Çairi dhe organizimin e katër paraleleve me numër të balancuar nxënësish, çështja për të cilën ndërhyri Ministria është zgjidhur. Procesi mësimor zhvillohet normalisht”, theksoi zëvendësministri.

Më tutje Sulejmani apeloi që çdo paqartësi e ngjashme në të ardhmen të adresohet me kohë përmes komunikimit institucional, në mënyrë që nxënësit dhe familjet e tyre të mos përballen me situata të tilla.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër