Tiranë, 4 shtator, Zhurnal.mk – Tre mjekë shqiptarë nga diaspora janë rikthyer në Shqipëri për t’iu bashkuar sistemit shëndetësor, përmes Platformës “Mjekë nga Diaspora”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se tre profesionistët kanë përvojë në institucione shëndetësore dhe akademike në Europë dhe Amerikën e Veriut dhe do të ushtrojnë profesionin në institucione shëndetësore në vend.
Ermelinda Bahollari, e specializuar në Mjekësi Interne dhe Kardiologji në Gjermani, i është bashkuar Spitalit Memorial Fier.
Ndërkohë, Mikel Kamami, i diplomuar në Itali dhe i specializuar pranë Spitalit Vita-Salute San Raffaele në Milano, është emëruar në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Në sistemin shëndetësor shqiptar rikthehet edhe Neritan Boriçi, i cili ka 25 vite përvojë profesionale dhe kërkimore dhe ka punuar së fundmi në institucione referente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rikthimi i profesionistëve shqiptarë nga diaspora synon të sjellë në sistemin shëndetësor vendas dijet, eksperiencën dhe standardet e fituara gjatë karrierës së tyre jashtë vendit.
Platforma “Mjekë nga Diaspora” synon afrimin e profesionistëve shqiptarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë vendit me sistemin shëndetësor shqiptar.
