Lefkov: Edhe Kovaçevski sheh përparësi në qendrat e të dhënave, Filipçe është kundër zhvillimit të tyre

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti i VMRO‑DPMNE, Mile Lefkov, sot e akuzoi kryetarin e SDSM, Venko Filipçe, se kundërshton zhvillimin e industrisë me qendra të të dhënave në vend, duke pohuar se për këtë çështje ka mendime të ndryshme edhe brenda vetë partisë opozitare.

Lefkov në konferencë për shtyp tha se Filipçe është kundër, siç theksoi, „çdo ide të dobishme dhe çdo projekti“, përfshirë edhe zhvillimin e industrisë me qendra të të dhënave.

Sipas tij, qendrat e të dhënave janë çështje për të cilën Filipçe është gjetur në anë të ndryshme edhe nga disa bashkëpartiakë të tij, mes tyre deputetë, si dhe deputeti dhe ish‑kryeministri Dimitar Kovaçevski.

„Pra edhe njerëz nga SDSM shohin se zhvillimi i këtij lloji të industrisë është përparësi si për qytetarët, ashtu edhe për Maqedoninë si shtet dhe për zhvillimin e saj“, tha Lefkov.

Ai drejtoi kritika ndaj Filipçes edhe për shkak të vërejtjeve të tij për transparencën e procesit për zhvillimin e kësaj industrie.

Lefkov u ndal edhe te pyetjet për konsumin e energjisë elektrike dhe ujit nga qendrat e të dhënave, duke pohuar se energjia elektrike do të sigurohet në treg ose nga burime të ripërtëritshme, ndërsa për ftohjen e qendrave ekzistojnë më shumë mënyra dhe, sipas tij, ujërat nuk janë në rrezik.

Sa i përket qendrës kombëtare të të dhënave, Lefkov tha se shteti do të kursejë me bashkimin e të dhënave në një vend, ndërsa ato, siç theksoi, do të jenë të sigurta.

Kovaçevski më herët në një paraqitje televizive vlerësoi se Maqedonia ka nevojë për një qendër kombëtare primare të të dhënave, por edhe për zhvillimin e qendrave komerciale të të dhënave që do të mund të tërheqin kompani të mëdha teknologjike. Ai theksoi se vendi për momentin nuk ka qendër kombëtare primare të të dhënave, por sekondare në rajonin e Prilepit, e hapur në periudhën kur ai e udhëhiqte Qeverinë. Sipas tij, ndërtimi i qendrës së paralajmëruar primare në Shkup do të ishte zgjidhje e mirë për centralizimin dhe mbrojtjen më të mirë të të dhënave të institucioneve.

Kovaçevski mendon se paralelisht duhet të zhvillohen edhe qendrat komerciale të të dhënave dhe shprehu shpresë se një kompani e madhe teknologjike do të investonte në një qendër të tillë në Maqedoni. Si argument për potencialin e kësaj industrie ai përmendi investimet e mëdha në qendra të të dhënave në Evropë dhe infrastrukturën rajonale të Google.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër