Himarë, 6 shtator Zhurnal.mk – Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka rikthyer në vëmendje lidhjen që krijon ligji 21/2024 për zonat e mbrojtura mes zjarreve dhe ndryshimit të destinacionit të këtyre territoreve. Përmes një videoje nga interpelanca e prillit 2024, Zhupa argumenton se “parimi i përshtatshmërisë” mund të lejojë që një zonë e dëmtuar nga zjarri të mos rikthehet në gjendjen e mëparshme, por të përdoret për hotele, resorte apo parqe energjetike. Zhupa e ka kundërshtuar ligjin edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e tij, ndërsa tashmë ajo ka depozituar në Kuvend një nismë të re për shfuqizimin e ligjit 21/2024.
“Zjarret e përshtatshme” që mund të ndryshojnë destinacionin e zonës së mbrojtur sipas ligjit antikushtetues dhe skandaloz 21/2024. Nga zjarret lindin hotele, resorte, park fotovoltaik, park eolik etj.
Shfuqizoni ligjin 21/2024 dhe e sigurt që do kemi edhe më pak “zjarre të përshtatshme”.
Dëgjoni këtë shpjegim të thjeshtë në interpelancën e prillit 2024 me Mirela Kumbaron, ministre e Mjedisit dhe Turizmit, kundër ligjit 21/2024.
Përmbajtja e videos: A e shikoni këtë çakmakun këtu? Ky çakmaku ose një shkrepëse e blerë me 50 lekë të vjetër, mjaftojnë që një zonë e mbrojtur të kthehet në një shesh ndërtimi me ligjin e zonjës Kumbaro. Në nenin 2 paracaktohet parimi i përshtatshmërisë, që për mua është parimi i shkrepëses, që do të thotë se nëse një zonë e mbrojtur ndryshohet gjatë kohës dhe nuk është më e tillë, kjo zonë e humbet kategorinë dhe nuk ka ndonjë detyrim që ta kthejë në gjendjen e mëparshme.
E thënë më thjesht: nëse në Pishë Poro ndizet një zjarr me këtë çakmakun apo me një shkrepëse tjetër dhe digjen pyjet, me parimin e përshtatshmërisë është më e përshtatshme ta kthejmë në resort sesa ta ripyllëzojmë përsëri. Kjo është mbrojtja që u garanton Ministrja e “ndërtimit”, zonja Kumbaro, zonave të mbrojtura.
