Prokurori që drejton rastin për inspektorët e DAP-it në “Pulse” kërkon përjashtimin

Nga Xh M
38 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 shtator Zhurnal.mk – Ndërsa opinioni publik pret që Prokuroria në Koçan të vendosë për inspektorët e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut, mes tyre edhe vëllai i kryetares së Gjykatës Penale, Daniela Dimovska, se kush prej tyre dhe kur do të ulen në bankën e të akuzuarve, pasi dyshohen se i kanë dhënë informacione pronarit të “Pulse”, Dejan Jovanov, dhe djalit të tij për kontrollet në diskotekën ku ndodhi tragjedia, prokurori që drejton hetimin, i cili pritet të përfundojë me ngritjen e aktakuzës, ka kërkuar të përjashtohet nga rasti, mëson TV 24 nga burime të hetimit.

Sipas të njëjtave burime, prokurori Mile Kostadinov nga Prokuroria e Koçanit e ka arsyetuar kërkesën e tij me faktin se njëri prej avokatëve të të dyshuarve ka qenë edhe avokati i tij në një procedurë civile.

Sipas informacioneve të TV 24, për kërkesën e Kostadinovit do të merret vendim nesër dhe pritet që kërkesa e tij të refuzohet.

Sipas informacioneve të TV 24, për marrjen formale të vendimit pritet ende edhe një ekspertizë grafologjike për njërën prej të dyshuarave.

“Njëra prej të dyshuarave e kundërshton nënshkrimin e saj në njërin prej procesverbaleve. Presim ekspertizën grafologjike. Të dyshuarit e tjerë kanë dhënë deklaratat e tyre dhe kanë kryer edhe shqyrtimin e provave”, ka thënë për TV 24 një burim nga hetimi.

Përveç Paunovit, nga DAP-i i dyshuar është edhe Dule Dimitriev, si dhe rreth dhjetë persona të tjerë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Nga Prokuroria Themelore Publike zyrtarisht thonë vetëm se rasti është në fazën para marrjes së vendimit prokurorial.

“Lënda për të cilën shprehni interes është para marrjes së vendimit prokurorial. Priten vetëm edhe disa dokumente nga institucionet për të përfunduar kompletimin e saj.”

Avokati i Paunovit, Asmir Alihspahiq, ka deklaruar për TV 24 se, pas shqyrtimit të provave, nuk pret që ndaj klientit të tij të ngrihet aktakuzë.

Sipas informacioneve të 24, pjesa kryesore e materialit dëshmues të Prokurorisë bazohet në një korrespondencë të gjerë në “Viber” mes inspektorit Dragan Paunov dhe Mihajlo Jovanovit, djalit të pronarit të “Pulse”, e cila kishte rrjedhur në publik, si dhe në përmbajtjen e mesazheve, që sipas Prokurorisë zbulojnë një skemë klasike të tregtimit me ndikim.

Në komunikimet janë gjetur edhe fotografi të një ore të shtrenjtë, e cila dyshohet se duhej t’i jepej inspektorit Paunov si dhuratë, në këmbim të mbrojtjes.

Rasti mori një tjetër dimension kontrovers edhe për shkak të faktit se inspektori i dyshuar Paunov është vëllai biologjik i Danielës Dimovskës, kryetares së Gjykatës Penale të Shkupit, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj 35 të akuzuarve për zjarrin në “Pulse”, ku humbën jetën 63 të rinj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër