Prishtinë, 7 shtator, Zhurnal.mk – Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka konfirmuar se grupi parlamentar i LDK-së do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Ne sapo përfunduam mbledhjen e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht diskutuam ftesën për seancën e ardhshme për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Vendosëm si grup që të marrim pjesë në këtë seancë dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj, prandaj ne kemi bërë thirrje që të konstituohet Kuvendi sa më parë që është e mundshme dhe institucioneve t’ju kthehet funksionaliteti i tyre. Prandaj vendosëm që të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t’i dhënë institucione Kosovës”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse gjatë mbledhjes është diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe nëse LDK-ja ka ndryshuar qëndrim lidhur me këtë çështje, Lushaku-Sadriu tha se kjo temë nuk është diskutuar.
“Çështja e presidentit absolutisht nuk është diskutua sepse nuk është temë. Temë është seanca dhe konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Ne dëshirojmë që sa më parë Kosovës t’i kthehen institucionet dhe të bëhen institucione funksionale. Mos harroni, Kosova është në një krizë politike pa institucione të fuqiplota përkundër faktit që kemi shkuar tri herë në zgjedhje. Dhe kjo është e papranueshme. Kemi thirrur që të bëhet konstituimi sa më parë edhe t’i japim Kosovës institucione”, tha ajo.
