Forumi Mediatik i Azi-Paqësorit arrin konsensus për begati të përbashkët

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pekin, 7 shtator, Zhurnal.mk – Në Forumin Mediatik të Azi-Paqësorit, i cili filloi të shtunën në qytetin Shenzhen të provincës Guangdong të Kinës Jugore, u arrit konsensus për promovimin e përbashkët të begatisë dhe zhvillimit të rajonit Azi-Paqësor.

Më shumë se 400 përfaqësues nga mbi 40 vende e rajone, si edhe nga agjenci të Kombeve të Bashkuara dhe organizata ndërkombëtare, morën pjesë në këtë veprimtari. Në ceremoninë e hapjes, 16 organizata themeluese nga Kina dhe jashtë saj formuan së bashku Komitetin Organizator të Programit të Partneritetit Mediatik të Azi-Paqësorit.

Konsensusi i Shenzhen-it i Forumit Mediatik të Azi-Paqësorit theksoi që Bashkëpunimi Ekonomik i Azi-Paqësorit (APEC) përbën mekanizmin e nivelit më të lartë, më të gjerë dhe më ndikues të bashkëpunimit ekonomik në rajon. Që nga themelimi i tij më shumë se tre dekada më parë, APEC-u e ka çuar Azi-Paqësorin në pararojë të zhvillimit global dhe e ka ndihmuar atë të bëhet rajoni më dinamik në ekonominë botërore.

Përfaqësuesit vunë në dukje se hapja, inovacioni dhe bashkëpunimi kanë rëndësi të madhe për promovimin e begatisë së rajonit Azi-Paqësor. Ata janë të përkushtuar të promovojnë konsensusin për hapjen, të ruajnë sistemin e tregtisë shumëpalëshe dhe të raportojnë e shpjegojnë konceptet dhe praktikat e tilla si ndërtimi i Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit, ndërlidhja rajonale dhe qëndrueshmëria e zinxhirëve të industrisë e furnizimit. Ata gjithashtu do të lehtësojnë përshtatjen e politikave dhe shkëmbimin e përvojave, si edhe do të paraqesin në mënyrë të gjithanshme përparimin e bërë prej rajonit në sektorë të ndryshëm.

Pjesëmarrësit ishin të një mendjeje që transformimi digjital, inteligjent dhe i gjelbër paraqet mundësi të rëndësishme për zhvillimin e rajonit dhe shprehën përkushtimin për të interpretuar politikat e zhvillimit digjital dhe për të promovuar paraqitjen pozitive të teknologjive digjitale, duke u zotuar të përhapin përdorimin dhe popullarizimin e inteligjencës artificiale në media, të zgjerojnë shtrirjen e medias dhe të rrisin ndikimin e saj. Ata thanë gjithashtu se do të inkurajojnë identifikimin dhe nxitjen e praktikave më të mira në fusha të tilla si energjia e pastër dhe ndërtesat me karbon të ulët, për të udhëhequr zhvillimin e gjelbër në rajonin të Azi-Paqësorit.

Duke i bërë thirrje medias të luajë një rol unik në promovimin e shkëmbimeve ndërmjet kulturave e qytetërimeve, pjesëmarrësit ripohuan angazhimin e tyre për të respektuar parimet e së vërtetës, objektivitetit dhe ndershmërisë në komunikim, si edhe për të nxitur së bashku një ekosistem të shëndetshëm mediatik.

Ata shprehën gjithashtu përkushtimin që të thellojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin mediatik, duke nisur programe të përbashkëta intervistash dhe projekte të tjera bashkëpunimi, duke promovuar njëkohësisht lidhjet kulturore e njerëzore në fushat që përfshijë kulturën, turizmin e shkëmbimet rinore, me qëllim rritjen e mirëkuptimit, besimit dhe miqësisë së ndërsjellë midis popujve të rajonit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër