Uashington, 8 shtator, Zhurnal.mk – Një hartë e diskutueshme e Amerikës së Veriut, e publikuar nga presidenti amerikan Donald Trump në rrjetin e tij social “Truth Social”, ka shkaktuar reagim të fortë në Islandë.
Në hartë, Islanda, Kanadaja, Groenlanda, Meksika dhe Kuba paraqiten nën flamurin e Shteteve të Bashkuara te Amerikës.
Ministria e Jashtme e Islandës njoftoi se ministrja e Jashtme, Thorgerdur Katrin Gunnarsdottir, thirri dje ambasadorin amerikan për t’i përcjellë shqetësimin e qeverisë.
Sipas një zëdhënësi të ministrisë, Islanda bëri të ditur se publikimi i hartës ishte “plotësisht e papërshtatshme”.
Trump publikoi hartën e Amerikës së Veriut pa dhënë ndonjë shpjegim me shkrim.
Në të, të gjitha territoret e përmendura paraqiten sikur të ishin pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I vetmi emër shteti që shfaqet në hartë është “Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Pse reagoi Islanda?
Reagimi i Islandës lidhet me një seri deklaratash të Trump në muajt e fundit, në të cilat presidenti amerikan ka shprehur ide për zgjerimin e territorit amerikan.
Trump ka folur vazhdimisht për mundësinë që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.
Ai ka kërkuar gjithashtu që Groenlanda, e cila është një territor autonom i Danimarkës, t’i kalojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Trump ka argumentuar se SHBA-ja duhet të kontrollojë Groenlandën për arsye sigurie dhe se vetëm amerikanët mund ta mbrojnë ishullin, nga kërcënime të mundshme nga vende si Rusia apo Kina.
Këto deklarata kanë shkaktuar më herët, reagime të forta edhe në Danimarkë dhe Groenlandë, të cilat kanë kundërshtuar idenë që Groenlanda t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen ka deklaruar se banorët e Groenlandës e kanë bërë të qartë vazhdimisht se nuk duan të jenë pjesë e SHBA-së.
Edhe Meksika reagoi ndaj hartës së Trump. Presidentja Claudia Sheinbaum deklaroi se Meksika nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë koloni apo territor nën varësinë e një shteti tjetër.
Zemërimi i Islandës nuk lidhet vetëm me hartën. Publikimi shihet në kontekstin e deklaratave të përsëritura të Trump për zgjerimin territorial të SHBA-së dhe sidomos për marrjen nën kontroll të Groenlandës dhe afrimin e Kanadasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
