Arlind Berisha ka pësuar humbjen e parë në karrierën profesionale, pasi u mposht nga Quentin Pasley në main eventin e javës së pestë të Dana White’s Contender Series.
Shqiptari u përball me amerikanin e pamposhtur në kategorinë light heavyweight në “Meta APEX” në Las Vegas, në një duel ku të dy luftëtarët hynë në kafaz pa asnjë humbje në karrierë.
Berisha, i cili ishte shqiptari i parë që garoi në Dana White’s Contender Series, kishte ardhur në këtë përballje me bilanc 5-0, ndërsa të gjitha fitoret e tij i kishte siguruar me ndërprerje në raundin e parë.
Megjithatë, Pasley arriti ta kontrollojë luftën në momentet e fundit të raundit të parë. Amerikani e rrëzoi Berishën dhe, pasi mori pozicionin dominues në tokë, e goditi me bërryla të fuqishëm deri në ndërhyrjen e gjyqtarit.
Ndeshja u mbyll zyrtarisht në minutën 4:41 të raundit të parë me nokaut teknik, duke i dhënë Pasleyt fitoren e katërt në po aq ndeshje profesionale.
Për Berishën, kjo ishte humbja e parë në karrierën profesionale, pas pesë fitoreve radhazi.
