Shkup, 13 shtator Zhurnal.mk – Ngarkesa e madhe e trafikut në hyrje të Sarajit për të cilën vite me radhë banorët ankohen, pritet të adresohet me ndërtimin e një rrethrrotullimi, një ure të re dhe një bulevardi. Për këtë projekt janë paraparë rreth 7 milionë euro, ndërsa pritet të fillojë procedura e prokurimit publik. Nga Qyteti i Shkupit thonë se gjatë realizimit të projektit mund të ketë edhe rrënim ose dislokim të disa objekteve që ndodhen në trasenë e planifikuar, shkruan Portalb.mk. Rrethrrotullimi në Saraj është i nevojshëm për shkak të ngarkesës së madhe në trafik, thonë banorët e kësaj zone. Sipas tyre, mungesa e një lidhjeje direkte drejt Kondovës i detyron shoferët të bëjnë rrugë shtesë, ndërsa në këtë pjesë krijohen edhe tollovi të mëdha.
“Meqë ka njoftim se do të ndërtohet, banorët këtu nuk janë kundër që të ndërtohet, sepse ka nevojë këtu për një rrethrrotullim, për shkak se këtu ka shumë tollovi”, na tha një banor i Sarajit.
Sipas tij, problemi është veçanërisht i theksuar për shoferët që udhëtojnë në drejtim të Kondovës, të cilët duhet të përshkojnë rreth dy kilometra shtesë për t’u kyçur në këtë vendbanim.
“Këtu ka problem me trafikun. Ai që duhet të shkojë nga Saraji në Kondovë, duhet të lëvizë një kilometër më poshtë, që të sillet edhe një kilometër për t’u kyçur në Kondovë. Edhe ata që janë në Gjorçe ose Kondovë, të cilët duan të shkojnë në qytet, nuk kanë të drejtë këtu. E shfrytëzojnë rrugën tjetër, ‘4 Korriku’, dhe qytetarët janë të rrezikuar në trafik të madh. Me rrethrrotullimin, varet se ku do të ndërtohet, duhet të zgjidhet edhe ai problem”, u shpreh banori.
Nga Qyteti i Shkupit bëjnë të ditur se në trasenë e planifikuar të projektit janë evidentuar objekte dhe prona ekzistuese. Për përcaktimin e saktë të pronësisë dhe gjendjes së tyre është porositur elaborat gjeodezik.
“Në trasenë e ndërhyrjeve të planifikuara infrastrukturore janë evidentuar objekte dhe prona që përfshihen në projekt. Për këtë qëllim, Qyteti i Shkupit tashmë ka porositur përgatitjen e një elaborati gjeodezik, me të cilin do të përcaktohen saktësisht struktura e pronësisë dhe gjendja e objekteve dhe pronave”, thonë nga Qyteti i Shkupit për Portalb.mk.
Nga atje shtojnë se, “në rast se konstatohet se objekte ose prona të caktuara ndodhen në trasenë e projektit dhe janë të domosdoshme për realizimin e tij, ato mund të rrënohen ose dislokohen, në përputhje me procedurën ligjore për shpronësim”.
Sa i përket afateve, nga Qyteti i Shkupit theksojnë se procedura e prokurimit publik, përfshirë nënshkrimin e kontratës, pritet të përfundojë brenda 60 ditëve, nëse nuk paraqiten rrethana shtesë. Afati i ndërtimit do të përcaktohet me kontratën me kompaninë e përzgjedhur. Projekti përfshin edhe rregullimin e shtratit të lumit Vardar.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, e ka vlerësuar projektin si të rëndësishëm për banorët, duke thënë se ai do të zgjidhë një problem të kahmotshëm infrastrukturor.
“Ky projekt është shumë domethënës për komunën tonë dhe vetë banorët e komunës. Zgjidhet një problem i kahmotshëm i Komunës së Sarajit, ku do të lidhet Komuna e Sarajit me dy pjesët e saj, Dërvenin dhe pjesën e Kondovës”, ka deklaruar Elmazi.
Sipas Elmazit, rrethrrotullimi është faza e parë e projektit, ndërsa në fazën e dytë parashihet edhe lidhja me Kondovën. Ai tha se për projektin janë paraparë rreth 420 milionë denarë, apo 7 milionë euro.
