Shkup, 14 shtator, Zhurnal.mk – Ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, nuk zbuloi konkretisht nëse po diskutohet për ndryshime kushtetuese me veprim të shtyrë si zgjidhje e mundshme për zhbllokimin e procesit eurointegrues të Maqedonisë, por porositi se po punohet me ngulm për arritjen e përparimit.
I pyetur konkretisht nëse ka informacione për mundësinë që ndryshimet kushtetuese të miratohen tani, e të hyjnë në fuqi me veprim të shtyrë, Rokas tha se nuk mund të ndajë informacione.
“Nuk mund të ndaj çfarëdo informacionesh në lidhje me këtë. Po punojmë me ngulm që të arrihet kjo. Për këtë po punohet që nga ardhja ime”, tha Rokas.
Ai nuk hyri në detaje për atë se çfarë zgjidhje po shqyrtohet, as nuk konfirmoi se konkretisht modeli i ndryshimeve kushtetuese me veprim të shtyrë është objekt i marrëveshjes.
Euroambasadori u pyet edhe për veprimin e fundit të liderit të partisë bullgare “Rilindja” dhe deputetit Kostadin Kostadinov, i cili dorëzoi iniciativë në Kuvendin Popullor bullgar me të cilën kërkon që gjuha maqedonase të trajtohet si dialekt bullgar.
Rokas refuzoi ta komentojë iniciativën.
“Nuk kam koment për politikan apo deputet nga cilado vend anëtare”, tha ai.
Deklaratat vijnë në periudhë kur përsëri në fokus është çështja se si të zhbllokohet procesi për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, ndërsa ndryshimet kushtetuese mbeten çështja kyçe politike në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes.
