Një ditë para një vendimi historik, si do të ndikojë vendimi i Hagës në rajon?

Nga I.A
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 shtator, Zhurnal.mk – Prej më shumë se pesë vitesh në Hagë po zhvillohen gjykimet ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky proces ka qenë i gjatë, i ndërlikuar dhe shpesh i kontestuar nga opinioni publik shqiptar. Më 16 shtator, Gjykata Speciale pritet të japë një vendim përfundimtar një moment që është cilësuar si historik jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Ky vendim do të përcaktojë jo vetëm fatin e krerëve të UÇK-së, por edhe narrativën politike dhe historike mbi luftën e Kosovës dhe legjitimitetin e shtetformimit, shkruan Zhurnal.

Çfarë pritet të ndodhë më 16 shtator?

Populli i Kosovës dhe shqiptarët kudo në botë presin me ankth një vendim që duhet të shpallë të pafajshëm krerët e UÇK-së. Për shumëkënd, ky vendim nuk është juridik por një akt që lidhet me vetë themelin e shtetit të Kosovës. UÇK-ja shihet si forca që solli lirinë dhe pavarësinë, prandaj çdo vendim që bie ndesh me këtë perceptim do të përjetohet si padrejtësi historike.

Në Kosovë, pritja e vendimit ka krijuar një atmosferë të ngarkuar. Organizatat e veteranëve, shoqëria civile dhe partitë politike kanë bërë thirrje për unitet kombëtar. Mesazhi i tyre është i qartë pavarësia e Kosovës nuk mund të vihet në pikëpyetje përmes një procesi gjyqësor që shihet si i ndikuar politikisht. Për këtë arsye, 16 shtatori nuk do të jetë një ditë e zakonshme por një moment që do të përcaktojë drejtimin e diskursit politik dhe shoqëror.

Kur vendimi do të shpall të pafajshëm krerët e UÇK-së, kjo do të përjetohet si një triumf i drejtësisë dhe një konfirmim i legjitimitetit të luftës për liri.

Si do të jetë rajoni pas 16 shtatorit?

Rajoni i Ballkanit është i ndjeshëm ndaj çdo zhvillimi që prek Kosovën. Pyetjet mbi stabilitetin janë ngritur edhe në nivel ndërkombëtar, madje edhe sekretari i NATO-s është pyetur nëse një vendim i pafavorshëm mund të shkaktojë tensione. Kjo tregon se procesi ka implikime të gjera gjeopolitike.

Në rast të një vendimi pozitiv, rajoni mund të përjetojë një moment lehtësimi. Do të dërgohej një mesazh se drejtësia ndërkombëtare nuk është e njëanshme dhe se lufta për liri nuk mund të kriminalizohet. Kjo do të forconte besimin e shqiptarëve në institucionet ndërkombëtare dhe do të hapte rrugë për një klimë më të qetë politike.

Çdo vendim tjetër mund të krijojë tensione të reja në marrëdhëniet ndëretnike dhe të ushqejë narrativat nacionaliste në rajon.

Nga cili kënd duhet ta ndjekë RMV këtë proces?

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë popull shtetformues dhe çdo zhvillim që prek Kosovën e ndiejnë si pjesë të tyre. Marshimi masiv për liri i së shtunës në Prishtinë tregoi se solidariteti është i gjallë dhe se çështja e UÇK-së nuk është vetëm e Kosovës, por e gjithë kombit shqiptar. Partia shqiptare në pushtet, VLEN, doli me kumtesë zyrtare duke mbështetur drejtësinë dhe lirinë për krerët e UÇK-së, duke reflektuar ndjeshmërinë e elektoratit të saj, derisa partitë opozitare shqiptare ishin prezent në marsh.

RMV duhet ta ndjekë me kujdes këtë proces duke u pozicionuar si shtet që mbështet drejtësinë por edhe duke dëshmuar se e njeh rolin historik të UÇK-së në krijimin e realitetit politik të sotëm. Me fjalë të tjera çdo shqiptar beson dhe e njeh pastërtinë e luftës për liri.

Kujtojmë që, vendimi i Hagës më 16 shtator është çështje përtej vijave kufitare. Shqiptarët kudo që janë e shohin këtë si një çështje kombëtare, ndërsa institucionet ndërkombëtare e shohin si një test të besueshmërisë së drejtësisë globale. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër