Shkup, 15 shtator Zhurnal.mk – Në mbledhjen e rregullt të Këshillit Ekzekutiv për politikën monetare në Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut, u vlerësua akoma e lartë pasiguria.
“Këshilli Ekzekutiv vlerësoi se nevojitet më shumë kohë për të konfirmuar qëndrueshmërinë e trendit të ngadalësimit të inflacionit, veçanërisht duke pasur parasysh shkallën e lartë të pasigurisë në mjedisin e jashtëm. Përkatësisht, përshkallëzimi i mëtejshëm i veprimeve ushtarake në Lindjen e Mesme, si dhe i luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, kontribuoi në rritje të sërishme të fortë të çmimeve të naftës dhe energjensëve të tjerë dhe në çrregullime në zinxhirët e furnizimit, me efekte të mundshme të përcjella mbi tregun valutor dhe çmimet e brendshme në periudhën e ardhshme”, paralajmëroi Banka Popullore.
Ata raportuan se norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar, pra 4.25 përqind, duke kontribuar edhe në ruajtjen e kursit të këmbimit të denarit në raport me euron.
“Banka Popullore edhe më tej do t’i përkushtohet ruajtjes së stabilitetit të kursit të këmbimit të denarit në raport me euron, si parakusht themelor për sigurimin e stabilitetit të çmimeve në afat të mesëm”, njoftoi Banka.
Banka Popullore sqaroi që në muajin korrik dhe gusht ka ndërhyrë përmes blerjes valutore, duke vlerësuar se rezervat valutore janë në zonën e sigurt.
