Kjo ishte vizita e vetme e Jakup Krasniqit në Kosovë gjatë paraburgimit në Hagë

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Dhimbjen për vdekjen e vëllait, Azem Krasniqi, Jakup Krasniqi do të dëshironte ta ndante me familjarët e tij.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, që ndodhej nën masën e paraburgimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, nuk u lejua të vinte në varrimin e të vëllait.

Por, vizita në Kosovë, atij iu lejua pas disa ditëve, përkatësiht më 10 tetor të vitit 2024 dhe ajo u zhvillua nën kushte të rrepta sigurie, i shoqëruar vazhdimisht nga forca policore të EULEX-it dhe Kosovës.

Ish-kryeparlamentari, i cili po bëhen gati gjashtë vite që po mbahet në Hagë, fillimisht vizitoi varrezat e Negrocit, ku ishte varrosur vëllai i tij.

Lulet dhe homazhet para varrit të Azem Krasniqit, Jakup Krasniqi i bëri nën monitorimin e katër zyrtarëve të huaj, të ngarkuar me përcjelljen e tij gjatë qëndrimit në Kosovë.

Pas përfundimit të vizitës në varreza, kolona me rreth dhjetë automjete të blinduara u nis drejt shtëpisë së familjes në brendësi të fshatit.

Gjatë rrugës, familjarë dhe bashkëfshatarë e pritën me emocion. Ata nuk patën mundësi t’i afroheshin, por e përshëndetën nga distanca, derisa Krasniqi hyri në oborrin e shtëpisë.

Edhe në ambientet familjare, qëndrimi i tij ishte i kufizuar dhe nën përcjellje të vazhdueshme. Dyert e shtëpisë qëndruan të hapura për rreth pesë orë, ndërsa përreth saj ishin të pranishëm dhjetëra zyrtarë të misionit evropian, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Vizita e 10 tetorit 2024, ishte e para dhe e vetmja e Jakup Krasniqit në Kosovë, që nga arrestimi dhe dërgimi i tij në Hagë, më 4 nëntor të vitit 2020, ku po përballet me procesin gjyqësor së bashku me tre ish-krerë të tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, vendimi për të cilët do të merret paraditen e sotme./Klankosova

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër