Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas vendimit për dënimin me burg nga Gjykata Speciale e Hagës të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla e cilësoi vendimin si të padrejtë, duke theksuar se historia dhe kontributi i UÇK-së në çlirimin e Kosovës nuk mund të zhbëhen nga asnjë vendim gjyqësor.
“Ky vendim sot nuk është drejtësi. Nuk zhbëhet dot historia e lavdishme e UÇK kështu. Padrejtësi!”, shprehet Balla.
Sipas tij, shqiptarët duhet të qëndrojnë në mbështetje të UÇK-së dhe të mbrojnë vlerat e luftës për liri. Balla kërkoi gjithashtu ndjekjen e të gjitha rrugëve juridike dhe ligjore për kundërshtimin e vendimit.
“Shqiptarët duhet të mbrojnë UÇK. Duhet të mbrojmë lirinë dhe çlirimtarët nga ky vendim i padrejtë. Duhet të gjejmë të gjitha rrugët juridiko-ligjore të zhbërjes së këtij vendimi, sepse duhet të mbrojmë me çdo kusht identitetin tonë si komb”, deklaroi ai.
