Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Prokuroria e Përgjithshme i përcolli sot nëpërmjet një shkrese zyrtare, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, qëndrimin e saj mbi projektligjin për pagat e magjistratëve.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme projektligji për pagat e magjistratëve nuk garanton zbatimin e plotë dhe efektiv të vendimit të gjykatës Kushtetuese.
“Në mungesë të një drafti formal të përcjellë zyrtarisht për konsultim, bazuar në përmbajtjen e projektligjit të publikuar në muajin korrik 2026 në faqen zyrtare të Kuvendit, si dhe në diskutimet publike të zhvilluara, vlerësojmë se projektligji ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’’, në parim nuk garanton zbatimin e plotë dhe efektiv të Vendimit nr.15, datë 17/02/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe standardet kushtetuese të përcaktuara në të”, thuhet në qëndrim.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi më tej se “ky projektligj krijon diferenca të pajustifikuara dhe jo harmonike mes niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive”.
