Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ktheu sot përgjigje Dhomës së Avokatisë në lidhje me kërkesën e tyre për rishikimin e rregullores së re, e cila ndalon përdorimin e telefonit celularë brenda në sallën e gjyqit.
Gjykata e Posaçme ka kërkuar nga Dhoma e Avokatisë zbatimin e rregullores së re të miratuar ose nëse janë kundër, të ndjekin rrugën ligjore për kundërshtimin e saj. Sipas GJKKO-së, kontestimi i rregullores nuk duhet të shërbejë për bojkotin e gjyqeve.
“GJKKO-ja sqaron se rregullorja ka hyrë në fuqi më datë 01.09.2026 dhe se, si akt i miratuar sipas procedurës së parashikuar dhe në fuqi, ajo është e detyrueshme për të gjithë pjesëmarrësit në procesin gjyqësor. Për rrjedhojë, GJKKO- ja kërkon nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë zbatimin e plotë të saj, përfshirë nenin 76. Në rast se Dhoma e Avokatisë vijon ta kontestojë këtë rregullim, ajo ka në dispozicion rrugët ligjore përkatëse për ta kundërshtuar atë përpara organeve kompetente; ndërkohë, kontestimi nuk e pezullon efektin juridik të Rregullores dhe nuk mund të shërbejë si shkak për mospjesëmarrje në seancat gjyqësore”, thuhet në përgjigjen që GJKKO i ka dërguar Dhomës së Avokatisë.
GJKKO thekson se kompjuteri portativ është plotësisht në dispozicion të mbrojtjes.
“Mbrojtësi hyn në sallë me laptopin e tij dhe e përdor atë gjatë gjithë seancës, në modalitet pa zë, për dosjen elektronike, aktet, provat, jurisprudencën, kërkesat dhe shënimet. Për qëllime procedurale, kjo pajisje mbulon nevojat kryesore dokumentare dhe të konsultimit gjatë gjykimit. Komunikimi urgjent gjatë seancës është tërësisht i mundësuar. Kur lind nevoja procedurale, mbrojtësi i drejtohet kryesuesit të trupit gjykues, i cili autorizon daljen nga salla sipas nenit 73, pika 8, ose shfrytëzohet pushimi i seancës”, thuhet në letër.
