Tiranë, 18 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend, gjatë diskutimit të projektligjit për pagat e magjistratëve, se miratimi i tij kërkon 84 vota parlamentare,
Rama tha se prania e 84 votave në sallën e Kuvendit është një element i veçantë në diskutimin e sotëm, pasi pa këtë shumicë, sipas tij, do të ishte e pamundur të arrihej rezultati i kërkuar për zbatimin e një vendimmarrjeje të urdhëruar nga një pushteti tjetër.
“Sot ka një veçori sepse sot këtu në sallë janë 84 vota që janë të nevojshme për të miratuar këtë normë. Por, nëse nuk do të jeni hipokritë, do të duhet ta pranoni se, nëse nuk do të ishin këto 84 vota, do të ishte tërësisht e pamundur që të arrihej në një rezultat të bazuar mbi një urdhër specifik të një pushteti tjetër”, tha Rama.
Duke iu referuar kompetencave të Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri solli si shembuj rastet kur kjo gjykatë mund të shfuqizojë dispozita ligjore, por, sipas tij, nuk mund të hartojë vetë normën e re apo të përcaktojë elementet konkrete të saj.
“Gjykata Kushtetuese mund ta shfuqizojë një taksë që diskriminon në mënyrë antikushtetuese një kategori qytetarësh, por s’mund të vendosë normën e taksës se sa duhet të jetë”, u shpreh ai.
Rama vijoi se e njëjta logjikë, sipas tij, vlen edhe për dispozitat që lidhen me pensionet apo legjislacionin penal. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë një dispozitë që cenon parimet kushtetuese, por nuk mund të hartojë vetë një skemë pensioni apo të përcaktojë masën e pensionit, as të shkruajë një vepër të re penale dhe masën e dënimit.
Kryeministri theksoi se këto çështje kërkojnë ligj, debat publik, vlerësim financiar dhe votë parlamentare. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë risolli në vëmendje qëndrimin e Komisionit të Venecias, sipas të cilit “deputeti është i paurdhërueshëm, individualisht, dhe Kuvendi duhet të votojë çështjet që janë brenda kompetencës së tij”.
